Mblidhet KQZ-ja, pritet certifikimi i kandidatëve dhe listës votuese
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të shqyrtohen dhe të miratohen një sërë çështjesh të rëndësishme lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se gjatë kësaj mbledhjeje, një nga pikat kryesore të rendit të ditës është vendimmarrja për rekomandimin e certifikimit të kandidatëve të subjekteve politike tashmë të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme.
Në rend dite, po ashtu, është edhe certifikimi i listës së votuesve brenda dhe jashtë vendit, si dhe shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me qendrat e votimit dhe numrin e vendvotimeve që do të hapen në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Rendi i plotë i ditës së mbledhjes së KQZ-së:
Hyrje– z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së
2. Aktivitetet e Zyrës
2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për certifikimin e kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, më 28.12.2025.
3. Këshillat e KQZ-së
3.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore
3.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për qendrat e votimit dhe numrin e vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike.
3.1.2. Miratimi i specifikimeve për materialet e posaçme për votuesit e verbër.
3.1.3. Vendosja për numrin maksimal të votuesve në vendvotimet e rregullta.
3.1.4. Miratimi i numrit të vendvotimeve në qendrat e votimit me kusht.
3.1.5. Certifikimi i listës së votuesve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
3.1.6. Shqyrtimi dhe miratimi i ekzemplarit (pre-print) të fletëvotimit dhe numrit të fletëvotimeve që do të shtypen.
3.1.7. Miratimi i procedurës së pranim–dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KVV në QKN.
3.1.8. Shqyrtimi dhe miratimi i listës së Qendrave të Numërimit.
3.1.9. Shqyrtimi i rekomandimit për ndërrimin e lokacionit të qendrës së votimit 2201 në Shtime.
3.1.10. Miratimi i procedurës së votimit për persona me nevoja të veçanta (VPNV).
3.2. Këshilli për Çështje Ligjore
3.2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të kuvendeve komunale në Ferizaj, Gjakovë dhe Podujevë.
4. Të ndryshme
Mbledhja e sotme pritet të jetë ndër më të rëndësishmet në kuadër të përgatitjeve finale për zgjedhjet e 28 dhjetorit, me vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin, funksionimin dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral në gjithë vendin.