Mbi 40% e gastronomëve nuk i kanë marrë subvencionet, janë pro faljes së gjobave të pandemisë

03.06.2021

Janë bërë më shumë se një vit që nga paraqitja e rasteve të para të infektimeve me COVID-19 në Kosovë. Si pasojë e kësaj pandemie, udhëheqësia e asaj kohe u detyrua që të ndërmerrë disa masa, duke filluar nga mbyllja e shkollave, universiteteve e deri tek mbyllja e gastronomisë. Gjatë kësaj periudhe kohore shumë persona […]

Mbi 40% e gastronomëve nuk i kanë marrë subvencionet, janë pro faljes së gjobave të pandemisë Foto: SuharekaOnline

Janë bërë më shumë se një vit që nga paraqitja e rasteve të para të infektimeve me COVID-19 në Kosovë.

Si pasojë e kësaj pandemie, udhëheqësia e asaj kohe u detyrua që të ndërmerrë disa masa, duke filluar nga mbyllja e shkollave, universiteteve e deri tek mbyllja e gastronomisë.

Gjatë kësaj periudhe kohore shumë persona humbën vendin e tyre të punës si dhe ekonomia e vendit pësoi rënie të madhe.

Përkundër faktit se kishin filluar të lehtësohen masat kundër COVID-19, gastronomia përsëri ishte e mbyllur ndërsa pastaj kishte filluar hapjen e gastronomisë gradualisht, por humbjet ishin të mëdha.

Ndërsa rreth 40 për qind (%) bizneseve të sektorit të gastronomisë nuk i kanë marrë subvencionet e premtuara nga Ministria e Financave për mbylljen e fundit si masë kundër kësaj pandemie COVID-19.

Deri në 10 milionë euro dëme thuhet se kanë ndodhur në sektorin e gastronomisë.

Kështu ka thënë Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica: “Gjatë mbylljes 12 ditore shumica e bizneseve nuk kanë operuar me shërbimet si ‘take away’ dhe ‘delivery’, mbi 10 milionë euro dëme kanë ndodhur në sektorin e gastronomisë”.

Vranica në një intervistë për KosovaPress thotë se procesi i subvencionimit po prolongohet, teksa shton nëse nuk përfundon procesi i subvencionimit deri më 12 qershor, do të trokasin sërish në derën e Ministrisë së Financave.

“Kjo pako, e cila lidhet me gjysmën e pagës së sektorit të gastronomisë, qendrave tregtare të tipit të mbyllur dhe transportuesve ndërurban dhe gjysmës së qirasë të të gjitha këtyre kategorive, kanë qenë të ekzekutuara që nga data 12 maj, do të thotë me përfundimin e aplikimit më 11 maj, ka filluar ekzekutimi, mirëpo është i pjesshëm. Nuk e di a do ketë prapë, nuk e di a ka fonde të mjaftueshme lidhur me subvencionimin e kategorive tjera të mbetura që kanë aplikuar në bazë të kritereve të përcaktuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Mirëpo ka një numër të konsiderueshëm, sidomos nga sektori i gastronomisë po flas, ka mbi 40 përqind të bizneseve, të cilët raportojnë që nuk i kanë marrë ende as pagat dhe as qiratë e lokaleve të tyre. Andaj të shohim nëse brenda muajit do të kemi një subvencionim të tillë”, thotë ai.

Sipas tij, vendimi për zgjatjen e orarit të gastronomisë deri në ora 23:00 do të duhej të merrej dy javë më herët në mënyrë që tash të flitej për hapjen e tërësishme të industrisë.

“Kjo është tepër e qartë sa i përket kapaciteteve të bizneseve për të përballuar mbylljen e dytë. Ka pasur një tkurrje të jashtëzakonshme të likuiditetit dhe pengesa të jashtëzakonshme me kredi, ku 60% e bizneseve kanë marrë kredi para pandemisë. Të gjitha këto pengesa janë të jashtëzakonshme andaj edhe vonesa të tilla sa i përket subvencionimit të pagës dhe të qirasë është shumë e vonshme. Ne jemi shumë vonë me marrjen e një vendimi, i cili na lejon operimin deri në ora 23:00 sepse do të duhej të ndodhte në masën e kaluar. Po urojmë që brenda muajit prej 12 maj – 12 qershor të bëhet ekzekutimi i plotë i këtyre mjeteve, në të kundërt, përsëri do të trokasim në adresën e Ministrisë së Financave”, thotë Vranica për KosovaPress.

Humbja e madhe e sektorit të gastronomisë gjatë pandemisë, e posaçërisht gjatë mbylljes, sipas tij do të duhej të shërbente si ultimatum për subvencionimin me kohë të bizneseve të këtij sektori.

“Mbi 10 milionë euro dëme kanë ndodhur vetëm në gastronomi dhe gjendja epidemiologjike në vendin tonë përsëri ishte mbi 10 përqind, pas kalimit të 2 javëve, pas mbylljes 12 ditore”, thotë ai.

Vranica është për faljen e dënimeve për ata që shkelën masat anti-COVID, madje thotë se duhet të kompensohen edhe ata që tashmë kanë paguar këto dënime, sikurse që ka bërë Shqipëria.