Mbi 1 orë pritje për të dalë nga Kosova

03.01.2025

Në dalje të Kosovës, pritjet dhe kolonat janë intensifikuar, veçanërisht në disa pika kufitare kryesore.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), situata varion në pika të ndryshme kufitare:

Dheu i Bardhë

Në këtë pikë kufitare, udhëtarët po përballen me pritje deri në 80 minuta për të dalë nga Kosova. Gjithashtu, gjatësia e kolonave ka arritur deri në 400 metra, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme.

Merdare

Në pikën kufitare Merdare, koha e pritjes është më e shkurtër, duke variuar nga 30 deri në 40 minuta. Gjatesia e kolonave në këtë zonë është rreth 200 metra.

Pikat tjera kufitare

Në pikat e tjera kufitare, fluksi i automjeteve dhe udhëtarëve mbetet normal si në hyrje, ashtu edhe në dalje nga Kosova, pa vonesa të theksuara.

Autoritetet këshillojnë qytetarët të informohen rregullisht për gjendjen në pikat kufitare dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre në bazë të informatave më të fundit për të shmangur vonesat.