MASHTI: Nesër fillon viti i ri shkollor, fton prindërit e nxënësit të komunikojnë me mësuesit nëse organizohet mësimi dhe sipas cilit orar

31.08.2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës. Nga MASHTI kanë theksuar se në dy vitet […]

MASHTI: Nesër fillon viti i ri shkollor, fton prindërit e nxënësit të komunikojnë me mësuesit nëse organizohet mësimi dhe sipas cilit orar

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës.

Nga MASHTI kanë theksuar se në dy vitet e kaluara kemi pasur pengesa të fillojmë me kohë vitin shkollor, si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila ka ndikuar në çrregullimin e procesit mësimor dhe ka shkaktuar humbje të konsiderueshme mësimore. Edhe ky vit shkollor do të jetë sfidues, për shkak të krizës globale ekonomike dhe asaj të energjisë, të cilat janë jashtë kontrollit të tyre,

Po ashtu, nga kjo ministri kanë shtuar se përkundër faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u.

Përderisa legjislacioni i tyre e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre të cilët nuk janë pjesë e grevës.

“Duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar”, thuhet në njoftim.

LEXO EDHE:  Sot konferencë, nesër protestë, SBASHK paralajmëron pjesmarrje masive

Gjithashtu, nga MASHTI kanë thënë se kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë. Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë qenë të hapura për dialog me sindikatat dhe kanë adresuar kërkesat legjitime, gjithnjë brenda kornizës ligjore dhe mundësive materiale. Jemi të bindur se për secilin problem mund të gjindet zgjidhja, por proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë që kanë nevojë për arsim cilësor”, vazhdon tutje njoftimi i MASHTI-t.

Ministria e Arsimit të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve u ka dëshiruar një vit shkollor të mbarë dhe me sa më pak çrregullime.

Etiketat