Masat e fundit anti-COVID ndikojnë në rënien e të hyrave buxhetore dhe të qarkullimit të bizneseve

18.09.2021

Rritja enorme e rasteve të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19, ka bërë shkak që Qeveria e Kosovës të ndërmerrë disa masa për kontrollin, luftimin dhe parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Masa anti-COVID janë ndërmarrur që nga viti i kaluar që kur janë identifikuar rastet e para të infektimit me COVID-19, por që gradualisht kishin […]

Rritja enorme e rasteve të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19, ka bërë shkak që Qeveria e Kosovës të ndërmerrë disa masa për kontrollin, luftimin dhe parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Masa anti-COVID janë ndërmarrur që nga viti i kaluar që kur janë identifikuar rastet e para të infektimit me COVID-19, por që gradualisht kishin shkuar duke hequr kufizimet, pasi që ekonomia e vendit veçse kishte filluar të pësojë rënie të dukshëm.

Por, me masat e fundit anti-COVID që janë miratuar nga Qeveria me datën 30 gusht e të cilat do të zgjasin të jenë në fuqi deri më 26 shator, pritet të ndikojnë në rënien e qarkullimit të bizneseve dhe në uljen e të hyrave buxhetore.

Po ashtu, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj ka theksuar se çdo kufizim në zhvillim të aktivitet ekonomik ndikon në ulje të qarkullimit për bizneset.

Sipas Murtezajt ulja e qarkullimit të bizneseve, me automatizëm ndikon në rënie të të hyrave tatimore.

Ai ka shtuar se ende nuk i kanë indikacionet e para se sa do të kenë efekt, mirëpo pasi që gastronomia dhe bizneset tjera lejohen që të zhvillojnë aktivitetin e tyre vetëm deri në orën 21:30, kjo do të ndikojë në reduktim të qarkullimit.

Murtezaj për KosovaPress ka thënë se gjatë periudhës kohore janar-gusht 2021, kanë arritur që të inkasojnë deri në 399.3 milionë euro, shumë kjo që sipas tij nëse bëhet krahasimi me periudhën kohore të njëjtë të vitit të kaluar, atëherë i bie që është rreth 97 milionë euro më tepër.

Derisa për masat 1.1, 1.2 dhe 1.3 të Pakos për Ringjalljen Ekonomike që ka të bëjë me mbështetjen e punëtorëve dhe grave në biznes, Murtezaj thotë se rreth 1 mijë biznese kanë aplikuar përreth 2 mijë e 200 punëtorë. Për masën 1.3 e cila ka të bëj me punësimin e grave, numri i kërkesave është 644 për 1 mijë e 142 të punësuara.

“Pas zhvillimit të aplikacionit nga ana e ATK-së, Ministri i Financave ka krijuar edhe komisionin, i cili do të merret me shqyrtimin e këtyre kërkesave dhe ky komision tashmë është në fazën e verifikimit të këtyre kërkesave dhe në momentin që i përfundojnë verifikimet, atëherë do të procedohen tutje në MF, përkatësisht në Thesarin e Kosovës, ku do të bëhet edhe procedimi i pagesës për përfituesit potencial për të përfituar nga këto masa”, theksoi ai. 

Po ashtu, drejtori i ATK-së ka bërë apel tek të gjitha bizneset që t’i deklarojnë punëtorët për marrëdhënie pune, pasi që në të kundërtën do të bëjnë ndëshkime në ditët në vijim gjatë inspektimeve.