Masat anti-COVID, Ambasada e Kosovës në Itali me njoftim të rëndësishëm për bashkatdhetarët

Ambasada e Kosovës në Itali i bën thirrje shtetasve kosovarë me banim/qëndrim në Itali të respektojnë masat dhe protokollet parandaluese antiCovid-19, të përcaktuara në Dekretin e fundit të Qeverisë italiane, i përditësuar më 14 janar 2021, i cili parashikon zgjatjen e gjendjes emergjente me kufizimet e lëvizjes.

Deri më 15 shkurt 2021, parashikohen kushtëzime për qarkullimin dhe lëvizjen brenda territorit italian: çdo lëvizje mes komunave (përjashtohen ato me më pak se 5000 banorë), prefekturave dhe rajoneve është e ndaluar; lejohen lëvizjet vetëm për arsye pune, shëndetësore, kthim në vendbanim dhe nevoja urgjente, ku parashikohet gjithsesi formulari i vetë deklaratës ku dëshmohet arsyeja e lëvizjes.

Udhëtimet Itali/Kosovë dhe anasjelltas: lejohen vetëm në raste urgjente të dëshmuara, dhe për hyrjen/kthimin në Itali, parashikohet vetë izolimi i detyrueshëm 14 ditorë, si dhe mbikëqyrja shëndetësore. Sipas këtij dekreti, këto masa mbesin në fuqi nga 16 janari deri më 5 mars 2021.

Kalimi transit nëpër Itali: të gjithë shtetasit kosovarë që udhëtojnë nga shtetet e BE-së mund të kalojnë transit përmes rrugëve tokësore, duke plotësuar formularin e vetë deklarimit, ku shpjegohet qartë qëndrimi në 14 ditët e fundit, duke respektuar detyrimin që të lëshojnë territorin italian brenda 36 orëve.

Lejet e qëndrimit/permessi di soggiorno: të gjithë shtetasit kosovarë të cilëve u ka skaduar leja e qëndrimit italiane, DPCM Nr.2 i datës 14.01.2021, neni 5, parashikon zgjatjen e vlefshmërisë së tyre deri më datë 30 prill 2021.

Ambasada e Kosovës në Romë njofton se gjatë kësaj periudhe do të ofrojë shërbime konsullore vetëm me termine/takime të rezervuara paraprakisht, ndërsa bashkatdhetarët për çdo kërkesë me natyrë urgjente mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 06/85356571, nga e hëna deri të enjten nga ora 09 – 17; numrin emergjent: +39327452991; E-mail: consulate.rome@rks-gov.net; embassy.italy@rks-gov.net ose FB: @Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali.

“Ju ftojmë të kontrolloni vazhdimisht uebfaqen zyrtare dhe profilin tonë zyrtar në Facebook për t’u informuar mbi përditësimet e reja lidhur me rregullat e qarkullimit. Vetëm në këtë mënyrë, duke respektuar me rigorozitet masat parandaluese, ne mbrojmë shëndetin tonë dhe atë të afërmeve tanë”, thuhet në njoftim.

RAPORTO