Maqedonci: Javelinët pritet të vijnë gjatë vitit 2025, pagesa është bërë për dy këste nga tre sa janë gjithsej
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se shteti amerikan vazhdon të jetë një partner i besueshëm në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në një intervistë të dhënë mbrëmë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Maqedonci ka konfirmuar se blerja e fundit e armatimit nga ShBA-ja ka ndodhur në muajin tetor.
Një nga pikat kryesore të këtij bashkëpunimi është furnizimi i FSK-së me raketat antitank Javelin, një sistem i avancuar i armëve që do të kontribuojë në rritjen e aftësive mbrojtëse të Kosovës. Sipas ministrit Maqedonci, pagesa për këto raketa është bërë për dy këste nga tre sa janë gjithsej, dhe se procesi i dorëzimit po zhvillohet në përputhje me planifikimet.
“Vlerësoj që gjatë vitit 2025 do të kemi ardhjen e parë të Javelinëve”, deklaroi Maqedonci, duke theksuar se edhe pse pritja e këtyre raketave është e rëndësishme, FSK nuk është në mungesë të sistemeve raketore antitank, pasi që janë bërë blerje të tjera nga Turqia.