Maqedonci: Deklaratat e Vuçiqit janë të pasakta, dronët po përdoren brenda territorit

04.07.2024

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se dronët “Bayraktar” po i vëzhgojnë bazat ushtarake të Serbisë.

Maqedonci: Deklaratat e Vuçiqit janë të pasakta, dronët po përdoren brenda territorit Foto: Ilustrim

Maqedonci në një intervistë për Tëvë1 ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po i përdor dronët “Bayraktar” për t’i testuar dhe për të siguruar siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë.

“Absolutisht, është e pasaktë kjo deklaratë e presidentit Vuçiq. Kapacitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të fokusuara në ndërtimin e elementëve për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit tonë. Në këtë aspekt edhe dronët ‘Bayraktar’ si pjesë e sistemit të armatimit… i inventarit të FSK-së është pjesë përbërëse e njësive operacionale të FSK-së dhe ne në kuadër të FSK-së kemi njësinë e sistemeve ajrore pa pilotë që kryen operim me dronët “Bayraktar” dhe normalisht që operimi i tyre bëhet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pa pasur synim vëzhgimin e asnjë vendi fqinj dhe pa pasur synim shkeljen e hapësirës ajrore të asnjë vendi. Normalisht bazuar në planin e operimit këta dronë fluturojnë në qiellin e Kosovës gjithmonë pra me synimin që të testohen, të operohet me ta me qëllim të vëzhgimit të terrenit në Republikën e Kosovës”, tha ai për Tëvë1.

I pyetur se a ka ndonjë tentativë  nga Serbia për të kryer ndonjë sulm, ai tha se rreziku ekziston përderisa grupi i terroristit Millan Radoiçiq nuk është ndëshkuar ende për sulmin e 24 shtatorit, ku mbet i vrarë heroi Afrim Bunjaku.

“Është thënë nga institucionet tona disa herë që vetë mosndëshkimi i grupit të Radoiçiqit dhe grupeve të tjera kriminale dhe terroriste që kanë operuar në veri të vendit dhe që kanë tentuar aneksimin e territorit të Republikës së Kosovës më datë 24 shtator, pra vetë mosndëshkimi i tyre paraqet rrezik, pra prezenca e tyre në Serbi, organizimi i tyre edhe funksioni i tyre brenda territorit të Serbisë gjithmonë të mbështetur nga strukturat e Republikës së Serbisë. Pra, derisa Serbia nuk distancohet nga veprimet që ka marrë ky grup, nuk merr masa për këto veprime atëherë rreziku ekziston”, deklaroi Maqedonci.