Presidenca e Kosovës: Vuçiqi po i tregon botës se nuk e ka zgjedhur rrugën e pajtimit
Presidenca e Kosovës ka reaguar fuqishëm pas deklaratës së fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili të premten tha se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe akuzoi Kosovën se po e përdor këtë periudhë “para luftës” për të fituar mbështetjen e shteteve evropiane dhe vendeve të NATO-s.
Në reagimin zyrtar, Presidenca e Kosovës i cilëson këto thirrje si “të pamatura” dhe të rrezikshme, duke i krahasuar me periudhat më të errëta të historisë së Ballkanit.
“Thirrjet e pamatura të Vuçiqit për luftë janë një jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së afërt,” thuhet në reagim.
Presidenca thekson se përkundër dekadave të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për paqe të qëndrueshme në rajon, Vuçiq po dëshmon se nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit. Sipas saj, në vend që të shikojë nga e ardhmja, ai po ringjall “fantazitë shkatërrimtare” që dikur sollën vuajtje të mëdha në rajon.
Në një krahasim të drejtpërdrejtë me ish-diktatorin serb, Sllobodan Millosheviq, Presidenca rikujton se ai zgjodhi luftën si mënyrë për të mbajtur pushtetin – duke shkaktuar gjenocid, varreza masive dhe shkatërrim në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, dhe në fund në Kosovë.
“Pushteti i tij përfundoi me turp: u rrëzua nga populli i vet, u gjykua si kriminel lufte dhe mbahet mend si kasapi i Ballkanit.”
Sipas Presidencës, Vuçiq, dikur shef i propagandës së Millosheviqit, tani po përpiqet të ndjekë të njëjtën “formulë helmuese”: të nxisë konflikte, të rrezikojë jetë dhe të mbetet në pushtet përmes frikës dhe destabilitetit.
“Por historia është e qartë dhe e pamëshirshme. Millosheviqi dështoi – dhe po ashtu do të dështojë edhe Vuçiqi”, thekson njoftimi.
Në fund, Presidenca e Kosovës rithekson se Kosova ka zgjedhur rrugën e paqes dhe se lufta nuk është mjet udhëheqjeje, por strehë për liderët që kanë humbur legjitimitetin.
“Kosova, nga ana tjetër, ka zgjedhur paqen. Paqen, të cilën do ta mbrojmë me çdo kusht.”
Ky reagim vjen në një kohë të tensionuar për rajonin, ku retorika nacionaliste dhe nxitja e frikës po rikthehen në diskursin politik të Beogradit, ndërkohë që Kosova vazhdon të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për stabilitet dhe integrim euroatlantik.