Macron nga Tirana: Shpresoj rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në javët e ardhshme

17.05.2025

Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, ka folur rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e përparimit të këtij procesi.

Macron theksoi se udhërrëfyesi për dialogun është i qartë dhe se Bashkimi Evropian ka legjitimitetin e nevojshëm për të kërkuar avancime konkrete në këtë drejtim.

“Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun Kosovë-Serbi. BE është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike, mbi zgjedhjet e komunave, për çështjet e sigurisë. Ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie. Duhet dalë nga kjo përballje që bllokon situatën,” u shpreh Macron.

Ai nënvizoi domosdoshmërinë që procesi të vazhdojë, me qëllim të ruajtjes së besueshmërisë dhe arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme që do të jetë e pranueshme për të dyja palët.

“Uroj që javët e ardhme të rifillojmë dialogun me Prishtinën dhe Beogradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale për të bërë të mundur avancimin. Është e rëndësishme për gjithë rajonin. Mendoj se kërkesat janë legjitime, s’mund të lëmë të vendoset një dialog i tërthortë, nuk është mënyra korrekte për të avancuar. Të paktën kemi një vullnet për qëllimin e avancimit për sigurinë e Europës. Për bashkimin e saj duhet ta bëjmë këtë udhë, por është legjitime të kemi ekzigjenca për këtë gjë. Nuk është ide e mirë kurrë kur mundohemi t’i përçajmë linjat apo të vëmë në dyshim procesin. Do vazhdojmë të ecim me forcë, do t’i riangazhojmë, ne do shkojmë krahas partnerëve europianë që gjërat të avancojnë në Kosovë. Për NATON dhe ekzigjencën e saj,” deklaroi presidenti francez.