Lirohen zyrtaret e Ministrisë së Infrastrukturës, do të hetohen në procedurë të rregullt
Tri zyrtaret e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të cilat u arrestuan gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit në prokurori.
Lajmin e ka konfirmuar IndeksOnline, duke cituar burime brenda prokurorisë.
Bëhet fjalë për Flora Selimin, Edila Gosalcin dhe Vjollca Vishajn, të cilat u ndaluan të enjten në ambientet e ministrisë në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në disa raste të ndara.
Burimet e IndeksOnline theksuan se zyrtaret, pas intervistimit nga prokurori, janë liruar dhe do të dalin para organeve të drejtësisë në procedurë të rregullt, çka do të thotë se hetimet do të vazhdojnë ndërkohë që të dyshuarat do të hetohen në liri.