Nis procesi i rishikimit të kurrikulave për arsimin fillor dhe të mesëm të ulët
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nisur procesin e rishikimit të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për arsimin fillor dhe të mesëm të ulët.
Ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, zhvilloi takim me grupin koordinues, i cili do të udhëheqë dhe mbikëqyrë gjithë procesin, duke përfshirë koordinimin e nëngrupeve profesionale dhe garantimin e koherencës së programeve mësimore.
Ministrja theksoi se rishikimi nuk është thjesht teknik, por një ndërhyrje e domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e arsimit, për të eliminuar përsëritjet e panevojshme dhe për të lidhur programet me konceptet kyçe të të nxënit.
Për të siguruar përfshirje të gjerë publike, MAShTI do të organizojë të paktën tetë debate publike në rajone të ndryshme të vendit, ku mësimdhënës, drejtorë, ekspertë dhe qytetarë do të japin kontributet e tyre, të cilat do të përdoren si bazë për analizën përfundimtare.
Procesi pritet të përmbyllet me një raport gjithëpërfshirës deri në fund të muajit prill, me gjetje dhe rekomandime konkrete, duke garantuar transparencë dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë.
MAShTI thekson angazhimin e saj për ndërtimin e një sistemi arsimor funksional dhe bashkëkohor që përmbush nevojat reale të nxënësve dhe mësimdhënësve.
