LDK propozon Kujtim Shalën për nënkryetar të Kuvendit dhe Hykmete Bajramin shefe të grupit parlamentar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur sot se strukturat vendimmarrëse të partisë kanë miratuar propozimet për pozicione kyçe në Kuvendin e Kosovës.
Sipas njoftimit të tij, Kujtim Shala do të jetë propozimi i LDK-së për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa Hykmete Bajrami do të udhëheqë grupin parlamentar të partisë.
Abdixhiku, në një postim në rrjetin social Facebook, ka theksuar se këto propozime kanë marrë mbështetjen e plotë të Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së LDK-së. Ai ka shprehur besimin se “të dy pozitat do të nominohen përkatësisht caktohen nga grupi ynë”.
“Ju priftë e mbara e dalshi faqebardhë në këtë detyrë fisnike për shtëpinë tonë politike, votuesit tanë e popullin e Kosovës”, ka uruar Abdixhiku.
Kujtim Shala nuk është një emër i panjohur në Kuvendin e Kosovës, pasi ai ka mbajtur postin e nënkryetarit edhe gjatë legjislaturës së fundit. Emërimi i tij sërish në këtë pozitë tregon përvojën dhe besimin e LDK-së tek ai.
Vendimet e LDK-së vijnë në një ditë kur konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për shkak të mosmiratimit të raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Kjo situatë politike e tensionuar ka bërë që drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe LDK-së të kërkojnë dorëheqjen e Albin Kurtit nga posti i kryeministrit. Kërkesa vjen pavarësisht faktit se Kurti ka dorëzuar një letër ku deklaron dorëheqjen nga kjo pozitë para se të betohej si deputet.
Lidhur me dështimin e konstituimit të Kuvendit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj. Ai ka deklaruar se “apeti i madh i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe i prijësit të tyre për të qenë edhe Kryeministër edhe Deputet, prodhoj sot një episod të errët demokratike në vend.”