Kuvendi pritet ta votoj Ligjin që largon homologimin e automjeteve

22.07.2021

Sot do të mbahet seancë plenare në Kuvend me fillim nga ora 10:00, ku 13 pika janë në rend të ditës. Në mesin e tyre do të jetë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete. Deputët e Kuvendit të Kosovës një muaj më parë […]

Kuvendi pritet ta votoj Ligjin që largon homologimin e automjeteve Foto: Ilustrim

Sot do të mbahet seancë plenare në Kuvend me fillim nga ora 10:00, ku 13 pika janë në rend të ditës.

Në mesin e tyre do të jetë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete.

Deputët e Kuvendit të Kosovës një muaj më parë me 70 vota për kishin votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Shqyrtimi që do të bëhet sot për këtë Projektligj, parasheh heqjen e homologimit si detyrim për automjetet që importohen nga vendet e Bashkimit Evropian, Norvegjia dhe Zvicra.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës njëherit edhe ushtruese e detyrës së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila kishte thënë se ka pasur padrejtësi që nga viti 2009 dhe ka qenë në kundërshim me rregullat e tregut të lirë.

Çfarë parashohin nenet e këtij Projektligji?

Neni 1 i këtij Projektligji parasheh që mjetet rrugore të reja që imporohen dhe posedojnë certifikatë të konformitetit.

Mjetet rrugore të përdorura, që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, Zvicra dhe Norvegjia, dhe që kanë qenë të lejuara për qarkullim të rregullt rrugor në vendin prej nga importohen”, thuhet në nenin 1.14, përcjell Telegrafi.

Lista e shteteve të përcaktuar në paragrafin 1.14, të këtij neni të Projektligjit, mund të ndryshohet ose plotësohet me vendim të ministrit.

Në nenin 2 të këtij Projektligji parashihet heqja e plotë e nenit 27 të Ligjit për Automjete që parasheh procedurën e mjeteve të përmirësuara dhe të riparuara.

Ndërsa në nenin e tretë thuhet se, “pronari i mjetit transportues është i obliguar të kërkojë që ndryshimet e bëra në mjetin e tij, e të cilat janë bërë me pëlqimin e tij, atëherë duhet të evidentohen pranë institucionit të autorizuar, në afat prej 30 ditësh nga dita e ndryshimit të bërë”.

Kryeministri Albin Kurti pas këtij vendimi ka reaguar duke thënë se ka filluar “fundi i zhvatjes përmes homologimit”.

“Filloi fundi i zhvatjes përmes homologimit. 12 vjet radhazi kishim monopol në homologimin e automjeteve që pasuronte një oligark duke imponuar barrierë tregtare. Qytetarëve u duhen shërbime të mira e jo detyrime të padrejta. Tash është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojnë nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L – 132 për Automjete”, ka deklaruar Kurti.