OVL e UÇK-së kërkon amendament në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka drejtuar një kërkesë Kuvendit të Kosovës që në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament që ndalon rihapjen e çështjeve për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që janë shqyrtuar dhe gjykuar përfundimisht nga organet kompetente.
Në letrën drejtuar kryetares së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve, OVL e UÇK-së kërkon që të përcaktohet qartë se nuk mund të zhvillohen procedura të reja penale për të njëjtat fakte, në rastet kur për to ekziston një vendim përfundimtar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), UNMIK-u, EULEX-i apo gjykata të tjera kompetente.
Sipas OVL-së, një dispozitë e tillë do të garantonte sigurinë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit një person nuk duhet të përballet në mënyrë të përsëritur me procedura penale për të njëjtat fakte dhe rrethana për të cilat tashmë është marrë një vendim përfundimtar.
Organizata pretendon se kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët, sipas saj, janë gjetur fajtorë në shkallën e parë për raste që më herët ishin trajtuar në procese të ndryshme gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare.
OVL e UÇK-së kërkon gjithashtu që ndryshimi i cilësimit juridik apo formulimit të një akuze të mos mund të përdoret si bazë për të trajtuar sërish të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që janë shqyrtuar më parë dhe për të cilat është marrë vendim përfundimtar.
Në fund të kërkesës, OVL e UÇK-së i bën thirrje Kuvendit që këtë çështje ta trajtojë me seriozitet dhe urgjencë dhe amendamenti përkatës të përfshihet në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
