Kuvendi mban sot dy seanca – opozita bojkoton të parën, e dyta vendos për fatin e qeverisë
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot do të zhvillojë dy seanca të jashtëzakonshme, të cilat pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në proceset institucionale të vendit.
Foto: Ilustrim
Seanca e parë do të mbahet në ora 11:00, ndërsa e dyta në ora 14:00, ku në rend dite është votimi për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Opozita bojkoton seancën e orës 11:00
Tri ish-partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë paralajmëruar bojkot të seancës së parë, e cila është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për të diskutuar:
- formimin e komisioneve të përhershme parlamentare,
- çështjet e buxhetit,
- marrëveshjet ndërkombëtare,
- financimin e RTK-së.
Pas njoftimit për seancë, e para që reagoi ishte LDK, e cila theksoi se nuk do të marrë pjesë në seancën e mëngjesit. Ajo ka deklaruar se rendi i ditës përfshin çështje serioze shtetërore si marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore, të cilat – sipas tyre – “nuk duhet të trajtohen në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”.
Në të njëjtën linjë është edhe Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka konfirmuar se subjekti nuk do të marrë pjesë në seancën e parë, por vetëm në atë të orës 14:00.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e seancës së orës 11:00. Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka deklaruar se në seancën e pasdites vota e tyre do të jetë “kundër” formimit të Qeverisë së re.
Në orën 14:00 – votimi për Qeverinë e re
Seanca e dytë, ajo e orës 14:00, do të fokusohet në votimin e Qeverisë së Kosovës, të propozuar nga i mandatuari Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor.
Konjufca ka bërë thirrje për mbështetjen e deputetëve, duke theksuar se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e reja parlamentare në dhjetor dhe të sigurojë funksionimin e një ekzekutivi “të paktën deri në prill”, kur pritet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Konteksti politik
Më 26 tetor, Albin Kurti nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë. Edhe pse LVV-ja doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, ajo nuk siguroi numrin e nevojshëm të ulëseve për të formuar qeverinë e re pa krijuar marrëveshje me subjektet tjera politike.
Sot pritet të jetë ditë vendimtare për zhvillimet politike në vend, ndërsa dilema qëndron nëse Qeveria do të marrë mbështetjen e mjaftueshme të kuvendarëve apo nëse Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.