Kuvendi i Kosovës, sot tentativa e 34-t
Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës vazhdon të thellohet, pasi seanca e konstituimit ka dështuar sërish të martën, duke shënuar dështimin e 33-të radhazi.
Deputetët do të tentojnë sot, e enjte, më 19 qershor, në orën 10:00, për herë të 34-të të konstituojnë legjislaturën e re, por me pak shpresë për një zgjidhje.
Deri më tash, në vazhdimet e seancës që rrallëherë kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë. Ky komision është thelbësor për të mundësuar votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish të martën. Kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, ftoi edhe njëherë subjektet politike parlamentare – konkretisht PDK-në, LDK-në, Listën Serbe dhe AAK-NISMA-n – që të propozojnë deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. Megjithatë, sërish nuk pati propozime për anëtarë të këtij komisioni.
Pas kësaj, përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim. Rezultati ishte: 51 vota pro, një votë kundër, dhe asnjë abstenim. Edhe ky numër votash mbeti i pamjaftueshëm për miratimin e komisionit.