Kuvendi i Kosovës mbyll sezonin pranverorë, opozita e pakënaqur me Qeverinë Kurti

28.07.2023

Pas mbylljes së sezonit pranveror të Kuvendit të Kosovës para mediave kanë folur partitë opozitare të vendit të cilat e kanë kritikuar Qeverinë Kurti. Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka thënë se Qeveria Kurti se ka dështuar në rrafshin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar. Dreshaj tha […]

Kuvendi i Kosovës mbyll sezonin pranverorë, opozita e pakënaqur me Qeverinë Kurti Foto: Ilustrim

Pas mbylljes së sezonit pranveror të Kuvendit të Kosovës para mediave kanë folur partitë opozitare të vendit të cilat e kanë kritikuar Qeverinë Kurti.

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka thënë se Qeveria Kurti se ka dështuar në rrafshin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar.

Dreshaj tha se dështimet janë në diplomaci, prishja e raporteve me ShBA-të, përjashtimi i FSK-së nga “Defender 2023” dhe sanksionet.

Deputeti i AAK-së po ashtu tha se ka dështime në reformën ekonomike, arsimore dhe shëndetësore.

Dreshaj e quajti shqetësuese edhe ikjen e të rinjve dhe profesionistëve të profileve të ndryshme, diskriminim të veteranëve etj.

Ai përmendi edhe çështjen e pensionistëve kontributdhënës.

“Dje votim kundër vendimit të GJK-së për pensioninstët kontributdhënës. Vazhdon diskriminimi i njëjtë me ligjin paraprak për skema pensionale. Pra, me këtë ligj për një ditë humbin 15 vjet kontribute” tha Dreshaj. 

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri,

ka thënë se ditë më parë në mbledhjen e kryesisë patën kërkuar debat parlamentar për audio-incizimet mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lilës dhe ish nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq e cila iu është pamundësuar.

“Për të gjitha përgjimet që kanë dalë të aferës ‘Zdravo’, patëm kërkuar debat dhe një qartësi të involvimit në vendimmarrje të një personi i cili ndiqet nga drejtësia në Kosovë dhe që është i kërkuar nga ShBA dhe Mbretëria e Bashkuar, Millan Radojiciq. Ky person doli që është i afërt dhe me LVV dhe përmes konfirmimeve që pamë nga vet shefja e Grupit Parlamentar të koalicionit ‘Zdravo’.

Në atë mbledhje të kryesisë neve na u pamundësu që të kemi debat… Pra sot ky koalicion ‘Zdravo’ e mbylli këtë seancë për të cilin ishim ftuar që të jetë seanca e fundit e sesionit pranverorë. Dhe e mbyllën këtë seancë për të na pamundësuar debatin…”, tha ai.

Tahiri po ashtu tha se shqetësuese për këtë qeveri janë edhe abuzimet që po ndodhin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nga Rozeta Hajdari.

“Tashmë mbrëmë u faktuan të gjitha, si për rezervën për grurë dhe vaj. Kjo qeveri e cila vjedh kafshatën e qytetarëve. Do të kemi angazhim të vazhdueshëm që vendin ta çojmë në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.

Ai tha se janë të angazhuar që t’i sigurojnë numrat për të shpërbërë Kuvendin.

“Sot ftohemi dhe bëjmë propozime konkrete për rendin e ditës, për ato që i interesojnë qytetarëve…Këta njerëz po duan me ngulfat fjalën e lirë. Jemi ne ata që do të bëjmë ç’është e mundur që t’i bëjmë numrat për shpërbërje të Kuvendit”, ka thënë Tahiri.

Poashtu, Shefi i Grupit Parlamentare i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se Qeveria Kurti karakterizohet nga korrupsioni dhe paaftësia.

Gashi para mediave tha se presin që në vjeshtë të ketë një situatë të re.

“Ky sesion dhe kjo qeverisje karakterizohen nga paaftësia dhe nga kapja e shtetit. Nga shkelja e Kushtetutës, me skandale, me korrupsion masiv. Karakterizohet si Qeveri që e shkel Kushtetutën” tha ai.

Gashi shtoi tutje se, Qeveria Kurti është qeveri e sanksioneve ndërkombëtare dhe sipas tij, Kosova nuk mund të përballojë një qeveri të tillë.

Ndryshe, sot në Kuvend ka dështuar të mbahet seanca për shkak të mungesës së kuorumit.