Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc, një përpjekje për të lënë Kosovën pa energji dhe ujë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku ka dhënë detaje të reja rreth sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”.
Kurti ka theksuar se ky sulm kishte për qëllim të linte Kosovën pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje.
“Po të arrihej qëllimi, ky sulm do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të energjisë elektrike, duke lënë pa rrymë qindra familje dhe pa ngrohje mijëra qytetarë të Prishtinës”, u shpreh Kurti. Sipas tij, dëmi do të ndikonte në fabrika dhe në fushën e telekomunikimit.
Kryeministri ka krahasuar sulmin në Zubin-Potok me ato të Rusisë në Ukrainë, duke theksuar se gjatë bastisjeve të zhvilluara në lokacione të ndryshme janë gjetur emblema të njësive ushtarake ruse. “Serbia po i kopjon metodat ruse për ta kërcenuar Kosovën dhe rajonin tonë në përgjithësi”, shtoi Kurti.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se po punohet intensivisht për riparimin e dëmit të shkaktuar në kanalin e ujit dhe se furnizimi me ujë po normalizohet gradualisht.