Kurti: Qytetarët do të subvencionohen për termoizolim të mureve të jashtme, kulmeve dhe ndërrim të dritareve e dyerve

08.08.2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se sot është hapur thirrja për masat e reja për rritjen e efiçiencës energjetike në shtëpitë private. Kurti ka pohuar se përmes këtyre masave, qytetarët do të mund të përfitojnë nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. […]

Kurti: Qytetarët do të subvencionohen për termoizolim të mureve të jashtme, kulmeve dhe ndërrim të dritareve e dyerve Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se sot është hapur thirrja për masat e reja për rritjen e efiçiencës energjetike në shtëpitë private.

Kurti ka pohuar se përmes këtyre masave, qytetarët do të mund të përfitojnë nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

Tutje, ai ka shtuar se subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro.

“Për t’ua lehtësuar investimet në shtëpitë tuaja me qëllim që të keni dimra më të ngrohtë e vera më të freskëta, falë përkushtimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe angazhimit të Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë nga sot kemi hapur thirrjen për masat e reja për rritjen e efiçiencës energjetike në shtëpitë private. Përmes këtyre masave të reja, do të mund të përfitoni nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. Subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro”, thotë ai.

Kurse, për familjet ku shtëpia është bashkëpronësi e të dy bashkëshortëve apo në pronësi të gruas, subvencionimi arrin 50%.

“Gjatë vitit të kaluar kemi subvencionuar 10,000 familje me 5 milionë euro për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje. Këtë vit kemi trefishuar buxhetin për pajisje dhe me 20 milionë do të investojmë në efiçiencë të shtëpive të banimit e ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social”, thekson kryeministri.

Aplikimi bëhet online përmes vjegëzës në vijim: ekosova.rks-gov.net/466

Detajet në lidhje me thirrjen mund t’i gjeni këtu: www.fkee-rks.net  

Ndryshe, ky projekt ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe mbështet nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Pakos Emergjente, siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Marrëveshjen Financiare IPA III.

Projekti përfshin subvencionimin e kostos së zbatimit të masave të përzgjedhura të efiçiencës së energjisë në shtëpi të banimit, si izolimi i jashtëm i shtëpisë, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes dhe izolimi i kulimit, sipas standardeve minimale dhe kritereve të përcaktuara nga FKEE.

Subvencionimi përkatësisht rimbursimi i kostos së zbatimit të masave është i kufizuar në masën deri në 45%, apo shumën maksimale deri në 5,500 Euro si kufi maksimal i mundshëm për një shtëpi – përfitues individual, e destinuar vetëm për banim privat/familjar. Kurse, deri në 50% arrin shuma e financimit, kur prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve, ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë.