Kurti mbledh kryetarët e komunave, detaje për diskutimin dhe planet e të ardhmes

07.04.2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pakoja emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike do të përdoret për përkrahjen dhe mbrojtën e qytetarëve nga kjo krizë. Mes tjerash, Kurti në takimin ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë dhe komunave, ku u diskutua rreth masave të kësaj pakoje, tha se Kosova synon pavarësimin […]

Kurti mbledh kryetarët e komunave, detaje për diskutimin dhe planet e të ardhmes Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pakoja emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike do të përdoret për përkrahjen dhe mbrojtën e qytetarëve nga kjo krizë.

Mes tjerash, Kurti në takimin ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë dhe komunave, ku u diskutua rreth masave të kësaj pakoje, tha se Kosova synon pavarësimin nga lëndët fosile të shteteve “autokratë” duke iu referuar Rusisë.

Sipas Kurtit, kriza energjetike e ka bashkuar më shumë Evropën.

“Rruga drejt të cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate që e përdorin për interesa të ngushta, në dëm të të përgjithshmes, pikërisht këtë krizë energjetike të Evropës”.

“Kjo krizë ka rezultuar në një solidaritet drejt një sektori energjetik më të bashkuar, jo vetëm në Evropë por edhe në vendet e Ballkanit. Këtë e kemi kërkuar në çdo takim e forum, që të jemi front i bashkuar në përballjen me krizën energjetike”.

Tutje, ai ka thënë se kanë subvencionuar nëntë mijë familje për blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje, ndërsa me 120 milionë euro janë subvencionuar 208 mijë familje kursimtare. Kjo asistencë, siç tha ai, do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë eurosh për Kosovën, për ballafaqim me krizën energjetike është jetësim i kërkesave tona dhe i përkrahjes së Bashkimit Evropian për sektorin tonë energjetik”.“Këtë pako financiare jemi siguruar që ta dizajnojmë mënyrë të tillë që ta rrisim ndikimin e masave që i kemi marrë si qeveri, për t’i përkrahur e mbrojtur qytetarët në përballje me krizën energjetike”.

“Kemi mbështetur mbi nëntë mijë familje, duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit. Me mbi 120 milionë euro të ndara kemi subvencionuar direkt faturat e energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare dhe kemi subvencionuar tarifat e reja për çdo biznes dhe familje që nga shkurti i vitit 2022”.

“Mbështetja do të vazhdojë edhe pas vendimit të ZRrE-së, ku do t’i subvencionojmë familjet që shpenzojnë 800 kilovatë në muaj, e familjet me asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë”.Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se prioritet i Qeverisë është rritja e investimeve në efiçiencë të energjisë.

“Për Qeverinë tonë është top-prioritet rritja e investimeve në efiçiencë të energjisë. Kemi shpenzuar rreth 17 milionë euro në këtë drejtim, më së shumti ndonjëherë në Kosovë”.

Rizvanolli ka thënë se këto masa ishin paraparë për vitin 2025, por se lufta në Ukrainë i ka përshpejtuar ato.

“Ndonëse këto investime ishin paraparë për vitin 2025, ballafaqimi me krizën energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë ka shtuar nevojën që të përshpejtohen investimet në efiçiencë, sikurse edhe masat që po prezantohen sot”

.Në takim, përveç se u diskutua për masat e pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike, u hap edhe thirrja publike për aplikim nga Komunat e Republikës së Kosovës.