Kurti i përgjigjet Kosnettit: Nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike

17.06.2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratat e Ambasadorit të ShBA’së në Kosovë, Philip Kosnett, lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kosnett, të mërkurën ka thënë se Kosova e ka detyrim të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti ka deklaruar se Kosova e ka një asociacion të komunave […]

Kurti i përgjigjet Kosnettit: Nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratat e Ambasadorit të ShBA’së në Kosovë, Philip Kosnett, lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosnett, të mërkurën ka thënë se Kosova e ka detyrim të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurti ka deklaruar se Kosova e ka një asociacion të komunave dhe ky është funksional, derisa ka thënë se Kosova s’mund të ketë asociacion mbi baza etnike.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, ka thënë Kurti.

“Kërkesa për asociacion etnik e cila ka tash e gati një dekadë që mbahet aktuale nuk më duket që vie nga njerëzit e thjeshtë. Por nga politikanët e fqinjët tonë veriorë”, ka deklaruar ai.