Kurti i kërkon BE-së të ndihmojë në dorëzimin e Radoiçiqit

para 41 dite

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për ndihmën e Bashkimit Evropian në lidhje me dorëzimin e Milan Radoiçiqit, i akuzuar për organizimin e sulmit në Banjskë.

Kurti i kërkon BE-së të ndihmojë në dorëzimin e Radoiçiqit

Gjatë takimit me shefen e re të diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, Kurti theksoi se Serbia po e mbron Radoiçiqin dhe se kjo po pengon stabilitetin në rajon.

“Kryekrimineli i bandës që kreu sulmin në Banjskë – mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia”, u shpreh Kurti. Ai shtoi se Prokuroria e Kosovës ka ngritur një aktakuzë prej 160 faqesh kundër Radoiçiqit dhe grupit të tij, por se Serbia po pengon drejtësinë duke mos e dorëzuar atë.

Kurti theksoi se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në fushën e integrimit evropian dhe të demokracisë, por se sfidat e sigurisë, të tilla si sulmi në Banjskë, po e pengojnë vendin të ecë përpara.

“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior”, tha Kurti. Ai theksoi se Kosova ka pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në vitet e pavarësisë, por se njëkohësisht ka përballuar kërcënime serioze për sigurinë.

Kërkesa e Kurtit për ndihmën e BE-së në lidhje me çështjen e Radoiçiqit vjen në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur. Sulmi në Banjskë, në të cilin u vra një polic kosovar, është konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në rajon në vitet e fundit.

Etiketat

Ofertat e fundit