Kaos në kufirin Kroaci-Serbi: Deri në 8 orë pritje në pikën kufitare Bajakovë, kolona të gjata deri 8 km

01.08.2025

Rritja e lëvizjes së mërgimtarëve drejt Kosovës ka sjellë ngarkesë të jashtëzakonshme në disa nga pikat kryesore kufitare në rajon.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Automobilklubi Kroat (HAK), më 1 gusht në orën 17:05, në pikën kufitare Bajakovë (në dalje të Kroacisë drejt Serbisë), pritjet kanë arritur deri në 8 orë, ndërsa kolona e automjeteve është vlerësuar të jetë rreth 8 kilometra.

Kjo pikë mbetet një nga arteriet kryesore rrugore për qytetarët nga diaspora që vijnë nga shtetet perëndimore të Evropës dhe udhëtojnë në drejtim të Kosovës. Fluksi është veçanërisht i lartë gjatë muajit gusht, kur mijëra familje mërgimtare kthehen për pushime verore.

Ndërkohë, në kufirin Hungari–Serbi, në pikën kufitare Horgosh, situata paraqitet më e lehtësuar, me kohë pritjeje që aktualisht shkojnë deri në 30 minuta. Edhe kjo pikë është shumë e frekuentuar nga udhëtarët shqiptarë nga mërgata, veçanërisht ata që vijnë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra.

Autoritetet kufitare dhe shoqatat automobilistike në rajon rekomandojnë planifikim të kujdesshëm të itinerarit dhe këshillojnë udhëtarët të konsultojnë informacionet më të fundit për gjendjen në kufij përmes kanaleve zyrtare. Përveç shmangies së orëve kulmore, u sugjerohet përdorimi i pikave alternative kufitare aty ku është e mundur, për të reduktuar kohën e pritjes dhe për të pasur një udhëtim më të lehtësuar.