Kolona të gjata në kufij: Mbi 3 orë pritje në Merdarë, rreth 2 orë te Dheu i Bardhë
Mërgimtarët që po kthehen nga Kosova drejt vendeve perëndimore po përballen me pritje të gjata në disa pika kufitare.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara mëngjesin e sotëm, në pikën kufitare Merdarë, pritjet për dalje nga Kosova shkojnë nga 180 deri në 200 minuta, ndërsa është raportuar edhe kolonë e gjatë prej 2,000 metrash.
Edhe në Dheu i Bardhë, pritjet janë të zgjatura, ku koha e daljes arrin deri në 110 minuta, me një kolonë prej rreth 650 metrash.
Në pikën kufitare të Jarinjës, koha e pritjes për dalje shkon deri në 15-20 minuta, me kolonë prej 100 metrash, ndërsa në Mutivodë pritjet arrijnë deri në 20-30 minuta, me kolonë prej 50 metrash.
Në pikat tjera kufitare, përfshirë Bërnjakun, Hani i Elezit, Qafë e Morinën, Vërmicën, Glloboçicën, Kullën, Muçibabën, Qafë e Prushit dhe Stançiqin, pritjet janë minimale dhe lëvizja zhvillohet pothuajse pa vonesa, nga 3 deri në 5 minuta.
Ky fluks i shtuar po ndodh për shkak të kthimit të mërgimtarëve nga pushimet verore në Kosovë drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës.