Fluksi në kufi: Deri 1 orë e 20 minuta pritje për të dalë nga Kosova

19.08.2025

Pikat kufitare të Kosovës po përballen me fluks të shtuar të daljes së automjeteve, sidomos në këtë periudhë të kthimit të mërgimtarëve drejt vendeve të tyre të punës dhe qëndrimit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme në orën 08:09, pritjet më të gjata për dalje nga Kosova janë regjistruar në pikën kufitare të Merdarës, ku qytetarët po presin nga 60 deri në 80 minuta, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur deri në 700 metra.

Edhe në Jarinjë ka pritje të theksuara, ku koha e daljes është llogaritur mes 20 deri në 25 minuta, me kolona rreth 200 metra.

Në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, pritjet për dalje shkojnë nga 10 deri në 15 minuta, ndërsa në pikat tjera kufitare, përfshirë Hanin e Elezit, Kullën, Glloboçicën, Qafën e Morinës, Qafën e Prushit, Muçibabën, Mutivodën, Stançiqin dhe Vërmicën, pritjet janë më të shkurtra dhe lëvizja po bëhet për 3 deri në 5 minuta.

Nga ana tjetër, hyrjet në Kosovë janë më të shpejta pothuajse në të gjitha pikat kufitare, me pritje që llogariten kryesisht nga 3 deri në 5 minuta.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të shfrytëzojnë pikat kufitare alternative për të shmangur pritjet e gjata, sidomos tek ato pika ku është shënuar fluks i madh.