Kryetari i Sindikatës të Sektorit Privat: Me 1 maj të vendoset për pagën minimale prej 350 euro

Kryetari i Sindikatës të Sektorit Privat: Me 1 maj të vendoset për pagën minimale prej 350 euro
Çlirim Gashi

08.04.2021 / Lajme

Javë më parë Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit privat ka kërkuar nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti që nga një maji paga minimale të jetë 350 euro.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi ka thënë se kërkesa primare ndaj qeverisë Kurti do të jetë ajo e ngritjes së pagës minimale në 350 euro.

Po ashtu Azemi ka bërë të ditur se ka bërë kërkesë për takim me kryeministrin Kurti, ku kërkesa e vetme është rritja e pagës minimale.

Ndër tjerash ka thënë se është e kuptueshme pjesa që vetëm sa ka ardhur kjo qeveri dhe se nuk do të jetë prioritet ky sektor, por të ulen dhe të bisedojnë, pasi që sipas tij kryeministri Kurti vitin e kaluar kishte premtuar që paga e punëtorëve të sektorit privat të jetë 350 euro.

Kujtojmë se nga dita e djeshme gastronomia është mbyllur si pasojë e masave të reja anti-COVID, ku dje përmes një konference për media, ministri i financave, Hekuran Murati ka thënë se kjo ministri ka vendosur që të mbulojë shpenzimet fikse të qirave dhe pagat e punëtoreve të atyre sektorëve që ndikohen pas masave të reja kundër Covid-19.

RAPORTO