Paga minimale rritet në 500 euro, përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro, duke theksuar se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Foto: Ilustrim
Përmes një postimi në Facebook, Kurti rikujtoi se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se dhjetë vjet, që nga viti 2011, kur ishte 130 euro për punëtorët nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë.
Sipas tij, gjatë mandatit të qeverisë aktuale paga minimale është rritur katër herë, fillimisht në 250 euro, më pas në 350 euro, në 425 euro dhe tani në 500 euro.
Kurti e cilësoi këtë si një trefishim të pagës minimale brenda më pak se gjysmë dekade, duke shtuar se rritja ekonomike e vendit do të vazhdojë të shoqërohet me rritjen e mirëqenies për qytetarët.
Në fund të reagimit të tij, ai uroi të gjithë qytetarët për rritjen e re të pagës minimale.
