Kryeministri Kurti u bën thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje sot të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet në territorin e Serbisë.
Foto: Ilustrim
Kjo thirrje vjen pas, siç tha ai, “indikacioneve për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe” ndaj qytetarëve të Kosovës.
Në një konferencë për media, Kurti theksoi seriozitetin e situatës, duke paralajmëruar për mundësinë e incidenteve ndaj udhëtarëve. “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe të qytetarëve tanë,” deklaroi ai.
Kryeministri Kurti i cilësoi si “kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme” deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ditën e djeshme paralajmëroi një “përgjigje të ashpër” pas ndalimit dhe paraburgosjes së Igor Popoviqit, ndihmësit të drejtorit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe.