Kosova pranohet në Aleancën Evropiane për Arsimin Profesional
Kosova ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në fushën e arsimit, këtë herë në sistemin e arsimit profesional dhe praktikës duale.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se Kosova është pranuar si anëtare e plotë e European Alliance for Apprenticeships (EAfA) – Aleanca Evropiane për Praktikën Profesionale. Me këtë anëtarësim, Kosova bëhet vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze evropiane.
Sipas ministres Nagavci, ky është një lajm i jashtëzakonshëm për sistemin arsimor në Kosovë dhe përbën dëshmi të përkushtimit institucional për të fuqizuar arsimin profesional dhe për ta përafruar me kërkesat e tregut të punës.
Synimet kryesore të këtij angazhimi përfshijnë:
- Përfshirjen aktive të sektorit privat në proceset arsimore;
- Krijimin dhe funksionalizimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;
- Përmirësimin e qeverisjes në shkollat profesionale.
Përmes këtij anëtarësimi, Kosova fiton qasje në mundësi të reja bashkëpunimi me vende të tjera evropiane në zhvillimin e praktikave cilësore të arsimit dual, rritjen e mobilitetit të praktikantëve dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompani, dhoma të tregtisë, organizata rinore dhe institucione arsimore nga e gjithë Evropa.
Platforma EAfA mbështet dhe promovon:
- Praktika profesionale cilësore dhe të efektshme;
- Ndihmë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
- Angazhim të autoriteteve vendore dhe partnerëve socialë;
- Përfshirjen aktive të praktikantëve në proceset vendimmarrëse.
Ministrja theksoi se praktikat profesionale janë kyçe për të rinjtë që synojnë kalimin e suksesshëm nga arsimi në tregun e punës, duke u pajisur me aftësi praktike të nevojshme në një ambient real pune.
Ajo shtoi se pas aplikimit për anëtarësim, Ministria e Arsimit ka punuar në përmbushjen e të gjitha standardeve të kërkuara nga EAfA, duke e cilësuar këtë si një sukses kolektiv të gjithë atyre që kanë kontribuar me përkushtim dhe profesionalizëm.
Anëtarësimi i Kosovës në EAfA është një dëshmi se vendi po ecën drejt përmbushjes së objektivave strategjike për një arsim cilësor, të integruar dhe të harmonizuar me standardet evropiane.