Ministrja Nagavci: Vetëm 7 nga 54 mësimdhënës kalojnë provimin për licencë të avancuar

30.12.2024

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë bilancin e arritjeve dhe sfidave të sistemit arsimor për vitin 2024 në një konferencë për media.

Ajo ka theksuar se nga 54 mësimdhënës që i janë nënshtruar provimit për pajisje me licencë të avancuar, vetëm 7 prej tyre kanë arritur të kalojnë.

Ministrja tha se në gusht të këtij viti është hapur mundësia për aplikim për mësimdhënësit që duan të pajisen me licencë të avancuar, por rezultatet e provimit tregojnë për nevojën e përmirësimit të përgatitjes dhe kualifikimeve. Sipas Udhëzimit të ri Administrativ, mësimdhënësit kanë tri lloje licencash:

  1. Licenca e karrierës,
  2. Licenca e avancuar,
  3. Licenca e përhershme.

Nagavci theksoi se fillimi i vitit 2024 u shënua me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë për programin e bursave. Nga kjo marrëveshje përfitojnë 245 studentë kosovarë, të cilët kanë mundësinë të studiojnë në Hungari.

Ajo gjithashtu përmendi miratimin dhe pilotimin e kurrikulës për edukimin në fëmijërinë e hershme, duke theksuar se këto përpjekje kanë dhënë rezultate konkrete në avancimin e performancës arsimore.

Një sfidë e theksuar nga ministrja është bashkëpunimi jo i mjaftueshëm me komunat për punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Ndonëse janë buxhetuar 500 vende pune për asistentë, aktualisht janë të punësuar vetëm 369,” tha Nagavci.

Ajo nënvizoi se janë trajnuar mbi 409 asistentë të kualifikuar, ndërsa mbetet e domosdoshme përmirësimi i bashkëpunimit me komunat për të plotësuar këtë nevojë.

Nagavci theksoi një arritje të rëndësishme në përgatitjen e teksteve për gjuhën dhe kulturën shqipe për fëmijët në diasporë.

“Këtë vit kemi finalizuar tekstet e nivelit të tretë dhe brenda javësh do të nënshkruajmë marrëveshjen me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë,” tha ajo.