Kosova merr pjesë në Takimin Ministror të 70-vjetorit të Konferencës së Messinës

para 20 dite

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar drejt Taorminës në Itali, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Antonio Tajani.

Kosova merr pjesë në Takimin Ministror të 70-vjetorit të Konferencës së Messinës

Ajo do të marrë pjesë në Takimin Ministror të organizuar sot dhe nesër, më 18 dhe 19 qershor 2025, në shënim të 70-vjetorit të Konferencës historike të Messinës.

Konferenca e Messinës, e mbajtur në qershor të vitit 1955, përbën një pikë kthese në historinë evropiane, pasi ajo mblodhi ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve themeluese të Komunitetit Evropian dhe vendosi themelet për një arkitekturë të re politike në Evropë, të bazuar në bashkëpunim, paqe dhe integrim.

Shtatë dekada më vonë, në një kontekst të ri gjeopolitik, ky takim mbledh ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe të vendeve kandidate dhe atyre me perspektivë anëtarësimi. Qëllimi është adresimi i sfidave strategjike me të cilat përballet Unioni dhe ripërcaktimi i rolit që zgjerimi luan në forcimin e rendit evropian.

Pjesëmarrja e Ministres Gërvalla në këtë takim konfirmon rolin aktiv të Republikës së Kosovës për të kontribuar në diskutimet thelbësore për të ardhmen e kontinentit evropian, njofton MPJD. Ajo do të riafirmojë qëndrimin se besueshmëria e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor matet edhe me qëndrimin parimor të BE-së ndaj Kosovës.

Etiketat

Ofertat e fundit