Kosova ende pa vaksina anti-COVID, Hoti e Zemaj: Nuk hyjmë në lojëra për të sjellë vaksinat e dyshimta

12.03.2021

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë ditës së premte janë takuar me Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19. Gjatë mbledhjës ndër tjerash është diskutuar për gjendjen me COVID-19 dhe vaksinën anti-COVID. Kryeministri në detyrë, Hoti ka thënë se po presin që për disa javë të […]

Kosova ende pa vaksina anti-COVID, Hoti e Zemaj: Nuk hyjmë në lojëra për të sjellë vaksinat e dyshimta Foto: Ilustrim

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë ditës së premte janë takuar me Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Gjatë mbledhjës ndër tjerash është diskutuar për gjendjen me COVID-19 dhe vaksinën anti-COVID.

Kryeministri në detyrë, Hoti ka thënë se po presin që për disa javë të arrijnë edhe vaksinat dhe të fillojë procesi i vaksinimit të qytetarëve.

”Jemi në fazën finale të kësaj pandemie, për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv. Informatat që mora dje nga ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKSHPK-së, janë shumë inkurajuese edhe për përgatitjet teknike”, ka thënë Hoti.

Hoti tutje ka thënë se Qeveria në detyrë e Kosovës nuk hynë në lojëra për ta marrë vaksinat që vijnë nga vendet e dyshimta.

”Kemi bërë të gjitha përpjekjet për të sjellë vaksinën sipas standardeve të BE-së. Nuk kemi hyrë në lojëra për të sjellë vaksinën nga vendet e lindjes, vaksina këto të cilat nuk janë të certifikuara nga vendet e BE-së” ka thënë ai.

Ndërsa, në anën tjetër ministri në detyrë i shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë kësaj mbledhje ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për vaksinim, megjithëse ende nuk dihet saktë kur do të arrijnë vaksinat anti-COVID.

Zemaj ka thënë se për sigurimin e vaksinës nuk është problemi tek buxheti, as tek angazhimi, as kontakti me prodhuesit apo përmbushja e kushteve dhe kritereve.

Ministri në detyrë më tej tha se Qeveria e Kosovës ka paraparë 40 milionë euro për vaksina dhe nevoja tjera për pandeminë, duke shtuar edhe 10 milionë tjera janë nga pjesa e rimëkëmbjes.

“Kemi qenë dhe mbetemi shembull i menaxhimit të pandemisë”, tha Zemaj, duke shtuar se kanë bërë më shumë se çdo shtet i rajonit.