Konjufca: S’ka koalicion me opozitën, synimi është shmangia e zgjedhjeve të menjëhershme
Mandatari i dytë për formimin e qeverisë, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk synon të krijojë koalicion qeverisës me partitë opozitare, por të kërkojë bashkëpunim institucional për ta nxjerrë Kosovën nga kriza aktuale politike.
Foto: Ilustrim
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ku u zyrtarizua si mandatar për kryeministër, Konjufca tha se qëllimi i tij është të formojë një qeveri që shmang zgjedhjet e menjëhershme dhe siguron miratimin e buxhetit për vitin 2026.
“Nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike. Ideja ka qenë me kriju një qeveri të re, me shmang zgjedhjet e menjëhershme dhe të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për ta miratuar buxhetin 2026”,
– deklaroi Konjufca.
Ai shtoi se nëse dështojnë përpjekjet për bashkëpunim dhe për miratimin e buxhetit, pasojat për vendin mund të jenë serioze, duke përfshirë edhe rrjedhën e shpeshtë të zgjedhjeve dhe kosto të larta financiare për shtetin.
“Nëse këto dyja nuk bëhen, nuk do të ishte në të mirë të Kosovës. Pikërisht për këtë LVV-ja më propozoi sot si mandatar. Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është të shohim veprimin e presidentes së Republikës. Nëse kjo nuk shmanget, atëherë Kosova mund të ketë pesë palë zgjedhje brenda një viti, dhe kostoja është 40 milionë euro”,
– theksoi ai.
Sipas Konjufcës, shmangia e zgjedhjeve të shpeshta është interes publik dhe shtetëror, pasi një situatë e tillë mund të paralizojë institucionet dhe të dëmtojë stabilitetin politik e ekonomik të vendit.
“Është interes publik ta shmangim këtë situatë, sepse as nuk është e sigurt që një parlament i ardhshëm do të arrijë të zgjedhë presidentin, dhe prapë mund të kemi zgjedhje të reja,” – përfundoi Konjufca.
Ndërkohë, pritet reagimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, e cila do të vendosë nëse do t’i japë Konjufcës mandatin për formimin e qeverisë së re.