Konfirmohet pjesëmarrja e Bislimit në rundin e ri të dialogut

15.03.2024

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Bashkimit Evropian për rundin e ri të dialogut me Serbinë që do të mbahet më 19 mars.

Konfirmohet pjesëmarrja e Bislimit në rundin e ri të dialogut Foto: Besnik Bislimi

Sipas këshilltarit politik të Bislimit, në këtë rund të dialogut në nivel kryenegociatorësh, në ftesën është thënë se agjenda do të jetë e fokusuar në diskutimet për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e saj.

“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqendrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, shkroi Kadiu në rrjetin social Facebook.

Bashkimi Evropian më herët gjatë 15 marsit konfirmoi se në këtë takim do të bisedohet për çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.

Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan në Bruksel në fund të shkurtit. Por, në atë takim, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk pati ndonjë rezultat.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.