Komunat kërkojnë shpërndarjen e teksteve mësimore në shkolla, MASHTi thotë se detajet për shpërndarjen e tyre në fund të javës

15.08.2023

Asociacioni i Komunave kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit që sa më parë të nis procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e Komunave të Republikës së Kosovës. Sipas Asociacionit kjo vonesë tepër e panevojshme mund tê shkaktoj probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor. […]

Komunat kërkojnë shpërndarjen e teksteve mësimore në shkolla, MASHTi thotë se detajet për shpërndarjen e tyre në fund të javës Foto: Ilustrim

Asociacioni i Komunave kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit që sa më parë të nis procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e Komunave të Republikës së Kosovës.

Sipas Asociacionit kjo vonesë tepër e panevojshme mund tê shkaktoj probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor.

“Viti i ri shkollor për çdo vit nis dhe është i planifikuar të nis njëjtën datë.

Së këndejmi vonesat e tilla në shpërndarjen me kohë të teksteve mësimore janë të pakuptimta por edhe të papranueshme. Asnjë justifikim në këtë vonesë nuk i intereson askujt, e më së paku nxënësve dhe arsimtarëve tanë”, thuhet në kërkesën e Asociacionit të Komunave. 

Ndërsa në konferencën e sotme Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se “Sa i përket teksteve shkollore unë e kam parë reagimin e Asociacionet të komunave është një proces që përballemi me shumë sfida. Ne fund të kësaj jave do të njoftoj më hollësisht për gjithë procesin edhe ndryshimit që po planifikojmë për tekstet mësimore. Që nga marrja e mandatit jemi angazhuar që të kemi cilësi në tekste mësimore”.

“Janë një varg veprimesh në mënyrë që të sigurohemi se tekste që mësojnë fëmijët tanë të jenë sa më shumë cilësore. Në këtë linjë shpresoj që të arrijmë që më kohë të furnizojmë me tekste mësimore. Me sa jam njoftuar nga ekipi që negocion për kontratat për blerjen e teksteve,  ka tekste shkollore që janë përcaktuar me shuma të mëdha, me 13,14, 15 euro”, tha ajo.

Nagavci po ashtu tha se tashmë kanë ndarë mjetet për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit në Luginë, duke përmendur ndërtimin e disa çerdheve.