Komunat anashkalohen nga Qeveria – AKK: Qasja ka ndryshuar pas zgjedhjeve, s’ka bashkëpunim

07.01.2022

AKK tashmë që dy herë nuk është ftuar në takim të Komitetit për Koordinim dhe Vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 dhe kjo pa ndonjë arsyetim. Ibrahimi ka theksuar se pse po ndodh një gjë e tillë nuk e di arsyen fare, pasiqë sipas tij çdo herë kanë qenë të gatshëm për bashkëpunim si dhe […]

Komunat anashkalohen nga Qeveria – AKK: Qasja ka ndryshuar pas zgjedhjeve, s’ka bashkëpunim Foto: Ilustrim

AKK tashmë që dy herë nuk është ftuar në takim të Komitetit për Koordinim dhe Vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 dhe kjo pa ndonjë arsyetim.

Ibrahimi ka theksuar se pse po ndodh një gjë e tillë nuk e di arsyen fare, pasiqë sipas tij çdo herë kanë qenë të gatshëm për bashkëpunim si dhe koordinim të aktiviteteve.

Po ashtu, ai ka shtuar se nga ana e Qeverisë nuk ka qenë ky trajtim deri para zgjedhjeve lokale, ndërkaq pas zgjedhjeve ka një trajtim krejt ndryshe të nivelit lokal.

“Tani është takimi i dytë me radhë ku Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ftohet. Kjo nuk e di pse është duke u bërë nga niveli qendror. Neve si Asociacion dhe kryetarët e komunave gjithnjë kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë në mënyrë që qytetarët të përfitojnë nga ky bashkëpunim sepse interesi kryesor i kryetarëve të komunave është shpëtimi i jetës së qytetarëve”, tha ai për EkonomiaOnline.

“Nëse njëherë ndodh pa qëllim dhe është arsyeja që kemi harruar t’i frojmë komunat, që nuk ka ndonjë arsye të justifikueshme se përse nuk janë konsultuar në hartimin e Projektligjit për vetëqeverisje lokale. Atëherë nëse gabimi ndodh 2-3 herë nuk mund ta konsiderojmë që është pa qëllim apo në disa raste është lëshim teknik. Po shihet që trajtimi i komunave nga niveli qendror edhe i Asociacionit si përfaqësues i tyre legjitim nuk është ashtu siç ka qenë më herët”.

Ibrahimi tutje tha se që nga marsi i vitit 2020 ekipet e angazhuara nga kryetarët e komunave kanë qenë të angazhuar për t’i krijuar lehtësira për tejkalimin e situatës me Covid-19.

Madje sipas tij, 80% e pacientëve janë trajtuar nga niveli lokal, falë angazhimit maksimal të krerëve të komunave.