Kompanitë do të mund t’i drejtohen Gjykatës Komerciale në vend të OShP-së
Kimete Gashi, anëtare e bordit të ri, ka thënë për emisionin e ekonomisë, Portofol në Klan Kosova FM, se ankesat që janë dorëzuar për mbi një vjet, sa OShP s’kishte bord, janë vlerësuar si të papërshtatshme. “Bordi ka vendosur që nuk ka pas kompetencë që t’i trajtojë ato. Secilin operator e kemi njoftuar dhe ata tash […]
Kimete Gashi, anëtare e bordit të ri, ka thënë për emisionin e ekonomisë, Portofol në Klan Kosova FM, se ankesat që janë dorëzuar për mbi një vjet, sa OShP s’kishte bord, janë vlerësuar si të papërshtatshme.
“Bordi ka vendosur që nuk ka pas kompetencë që t’i trajtojë ato. Secilin operator e kemi njoftuar dhe ata tash mund t’i drejtohen Gjykatës Komerciale”, është shprehur Gashi.
“Afërsisht kanë qenë 800 lëndë që i kemi gjetur që kanë qenë të parashtruara si ankesa”.
Gashi ka theksuar se synimi si bord i ri është që të punojnë në formën më të drejtë.
“Misioni i bordit është që dera e OShP-së të jetë dera më e besueshme e çdo operatori ekonomik dhe çdo personi fizik ose subjekt ekonomik që mendon se i është shkelur një e drejtë”.
Kujtojmë se më 3 gusht kishte filluar punën Gjykata Komerciale, premtim ky i Qeverisë Kurti.
Nga Ministria e Drejtësisë kanë theksuar se Gjykata Komerciale do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitiv në vendin tonë dhe njëkohësisht do të krijojë një platformë të dobishme për tërheqjen e investimeve të jashtme, duke na bërë seriozë dhe të përkushtuar për drejtësi, e cila është parakusht për zhvillim ekonomik.
Themelimi i Gjykatës Komerciale siguron përmirësim rrënjësor të gjendjes momentale, e cila do të lehtësohet përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët, numri i të cilëve do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm 5 sa kanë qenë deri tash.
“Për një kohë të gjatë, sektori privat është ballafaquar me sfida që kanë frenuar bizneset e tyre për shkak të mungesës së efikasitetit gjyqësor, procedurave të stërzgjatura për zgjidhjen e rasteve, ekspertizave profesionalisht jo të kënaqshme apo numrit të vogël të gjyqtarëve. Vetëm për tri vite (2018, 2019 dhe 2020), në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste mes bizneseve, nga të cilat 15 raste kanë vlerë mbi 1 milionë euro secila”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.
Vetëm në fillim, mijëra raste do të jenë subjekt shqyrtimi i kësaj Gjykate, që do të ketë juridiksion edhe për rastet përmbarimore, me pritje për zgjidhje të afërsisht 500 rasteve në vit të kësaj natyre.
Ndryshe, themelimi i Gjykatës Komerciale është vlerësuar si një garanci tjetër për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një ambienti shumë më të përshtatshëm për investitorët e jashtëm.