OSHP prej një viti udhëhiqet nga ushtrues detyre – vonesat në shqyrtimin e ankesave tejkalojnë afatet ligjore

02.07.2025

Gati një vit pas emërimit të Isa Hasanit si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucioni vazhdon të përballet me mungesë të kapaciteteve dhe vonesa serioze në shqyrtimin e ankesave, duke ndikuar drejtpërdrejt në zvarritjen e projekteve të prokurimit publik në vend.

Aktualisht, OSHP funksionon vetëm me katër nga pesë anëtarët e paraparë me ligj, çka ka ndikuar në efikasitetin dhe vendimmarrjen brenda afateve të përcaktuara.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë paraqitur rreth 585 ankesa, ndërsa një pjesë e madhe e tyre ose nuk janë trajtuar fare ose janë shqyrtuar me vonesë, duke tejkaluar afatin ligjor prej 30 ditësh të përcaktuar për marrjen e vendimeve.

Një rast i veçantë që ka tërhequr vëmendje publike lidhet me aktivitetin e prokurimit për “Zgjerimin e rrugës Nacionale N9, Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc – Zahaq, Loti 1, 2, 3 dhe 4”, për të cilin janë parashtruar pesë ankesa – dy më 2 maj dhe tri më 5 maj 2025. Edhe pse kanë kaluar dy muaj nga data e paraqitjes së tyre, OSHP ende nuk ka publikuar ndonjë vendim, përkundër faktit që është tejkaluar më shumë se dyfish afati ligjor. Deri më tani, është mbajtur vetëm një seancë shqyrtimi më 27 qershor 2025.

Redaksia jonë ka dërguar disa pyetje në adresë të z. Isa Hasani, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryetarit të bordit të OSHP-së, lidhur me këto vonesa dhe mungesën e vendimeve, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Tejkalimi i afateve ligjore për shqyrtimin e ankesave është kthyer në një nga pengesat kryesore për realizimin e projekteve të prokurimit, duke dëmtuar procesin dhe zvarritur zbatimin e kontratave që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit.

Mungesa e reagimit institucional dhe mungesa e plotësimit të bordit rritin shqetësimet për qeverisjen e këtij institucioni, teksa pasojat i vuajnë qytetarët dhe buxheti i shtetit.