Gjykata Komerciale urdhëron kthimin e mbi 4.4 milionë eurove në llogaritë e Telekomit të Kosovës

20.06.2025

Telekomi i Kosovës Sh.A. ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila ka urdhëruar kthimin e shumës prej mbi 4.4 milionë eurosh në llogaritë e ndërmarrjes, mjete këto që ishin ekzekutuar më parë nga përmbaruesi privat Flamur Bogaj në favor të kompanisë Dardafon.net (Zmobile).

Gjykata Komerciale urdhëron kthimin e mbi 4.4 milionë eurove në llogaritë e Telekomit të Kosovës Foto: Ilustrim

Në njoftimin për media, Telekomi bën të ditur se Gjykata Komerciale – Dhoma e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Ekonomike, ka aprovuar ankesën e ndërmarrjes lidhur me parregullsitë në procedurën përmbarimore. Kjo ankesë lidhej me veprimet përmbarimore të cilat, sipas Telekomit, ishin të jashtëligjshme dhe të kryera në kundërshtim me procedurat ligjore.

Vendimi i gjykatës urdhëron rikthimin e shumës prej 4.483.945,30 euro, e cila ishte “tërhequr në mënyrë të jashtëligjshme nga llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe transferuar fillimisht në llogarinë e përmbaruesit privat Flamur Bogaj dhe më pas në llogarinë e kompanisë Dardafon (Zmobile)”.

Telekomi shpreh shqetësimin se veprimet e përmbaruesit jo vetëm që e privuan ndërmarrjen nga qasja në mjetet e veta financiare, por e vunë edhe përballë një rreziku real që këto mjete të mos rikthehen kurrë.

Sipas gjykatës, një ndër shkeljet kryesore ka qenë përllogaritja e kamatvonesave nga një subjekt i tretë i paautorizuar ligjërisht, i angazhuar nga vetë përmbaruesi – veprim që është shpallur “i pavlefshëm dhe juridikisht i papranueshëm”.

Telekomi thekson se përmbaruesi ishte paralajmëruar për këto shkelje dhe i ishte kërkuar të mos tejkalojë kompetencat ligjore, por ai “nuk i ka marrë parasysh këto kërkesa dhe nuk është përgjigjur ndaj tyre”.

Gjykata ka vendosur që çështja të rikthehet në fazën fillestare parapërmbarimore, duke theksuar se “asnjë veprim përmbarimor i bazuar në shkelje ligjore nuk mund të tolerohet”.

“Ky vendim nxjerr në pah dhe legjitimon shqetësimet e Telekomit të Kosovës rreth objektivitetit të disa vendimeve gjyqësore të mëhershme, të cilat kanë lejuar ekzekutimin e urdhrave përmbarimore në rrethana që kanë favorizuar njëanshëm interesat e operatorit Dardafon.net”, thuhet më tej në njoftim.

Telekomi ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale për zbatimin e këtij vendimi dhe për kthimin e plotë të mjeteve, si dhe për të kërkuar përgjegjësi ligjore nga përmbaruesi për shkeljet e kryera.

Suspected Malware | Cloudflare

Warning

Suspected Malware

This website has been reported for potentially distributing malware.

Malware is malicious software created to intentionally disrupt the normal operations of a device.

Learn More