KOMF: Puna e rëndë dëmton fëmijët

KOMF: Puna e rëndë dëmton fëmijët
Çlirim Gashi

12.06.2021 / Lajme

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Punës së Rëndë të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, bën thirrje për vetëdijesim dhe sensibilizim të prindërve, institucioneve dhe të gjithë qytetarëve për të mbrojtur fëmijët nga punët e rënda.

Fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për jetën, shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, mungesën e qasjes në arsim dhe rrezikut të abuzimit seksual dhe/ose trafikimit.

“Aktualisht, në Kosovë nuk ka shërbime të veçanta të ofruara nga komunat për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, ekipet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe reintegrimit (mbështetjen sociale, arsimore dhe psikologjike për fëmijët dhe familjet e tyre).

Përjashtim bëjnë iniciativat e disa organizatave jo qeveritare, sikurse Terre des hommes e cila ka hapur qendër ditore në Prishtinë për trajtimin dhe re integrimin e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda me fokus trajtimin e fëmijëve në situatë rruge”, thuhet në reagimin e KOMF.

Më tej bëhet e ditur se prej muajit korrik 2020 në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili synon të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e keqpërdorimit, shfrytëzimin apo formave tjera që vënë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës.

Sipas këtij ligji, çdo komunë duhet të punojë për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha rreziqet, duke përfshirë edhe rreziqet e mëdha që vijnë nga puna e rëndë të fëmijëve.

KOMF u bën thirrje komunave dhe qeverisë të marrin masat të zbatojnë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës në mënyrë që të përmirësojnë gjendjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.

KOMF ka adresuar një shkresë drejt Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke rekomanduar që shkollat e Republikës së Kosovës të të gjitha niveleve (niveli i arsimit fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm i lartë), të mbajnë një sesion dedikuar formave të rënda të punës së fëmijëve, dëmit, pasojave në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës si dhe raportimit drejt institucioneve përgjegjëse.

Puna e rëndë duhet të raportohet në Qendrat për Punë Sociale nga çdo qytetar që mund të dijë apo njohë raste të tilla./SuharekaOnline/

LAMI Palace – Bëhuni pjesë e ambientit mbretëror duke shijuar çdo detaj!

LAMI Palace një vend i veçantë i ndërtuar dhe dizajnuar me një shije të rrallë dhe unike ofron momente të...

Lexo më shumë

Të fundit