Mbrojtja e fëmijëve, KOMF u adreson propozime kandidatëve për kryetarë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili përfaqëson 35 organizata joqeveritare,
përmes këtij dokumenti adreson drejt kandidatëve për kryetarë të komunave dhe kandidatëve për
kuvendet komunale çështjet prioritare për ndërhyrje në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në nivel komunal.
Foto: Group of cute children lying on grass
Këto propozime janë në përputhje të plotë me kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet ligjore të komunave
që rrjedhin nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, Ligji për Vetëqeverisje Lokale, Ligji për Shërbime Sociale
dhe Familjare, Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, Ligji për Arsimin Parauniversitar, Ligji për
Shëndetësi si dhe Ligji për Financat e Pushtetit Lokal.

Mirëqenia dhe shërbimet sociale
- Komunat të rrisin buxhetin për thirrjet e ardhshme publike në komuna për mbështetjen e
shërbimeve sociale për fëmijët e cenueshëm të ofruara nga sektori joqeveritar, si dhe të aplikojnë
kontrata me kohëzgjatje trevjeçare. Që nga dhjetori i vitit 2023, për pjesën më të madhe të ofruesve
të shërbimeve sociale kanë përfunduar programet e mbështetura nga donatorët ndërkombëtarë.
Situata është rënduar edhe më shumë në vitin 2025, me vendimin e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës për tërheqjen e ndihmës ndërkombëtare për shumë shtete në botë, përfshirë edhe
Kosovën. Komunat, bazuar në kompetencat që u garanton Ligji për Vetëqeverisje Lokale, të rrisin
buxhetin për shërbime sociale. - Komunat të rrisin numrin e zyrtarëve për shërbime sociale në kuadër të Qendrave për Punë Sociale,
sidomos të atyre me profil të “punëtorit social” dhe “psikologut”, për të përballuar ngarkesën e
lëndëve si dhe për të mundësuar funksionimin e Organit të Kujdestarisë në përputhje me kërkesat
e përcaktuara në Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare. Ky organ, sipas ligjit, duhet të përbëhet
nga pesë profile profesionale të domosdoshme: punëtor social, psikolog, jurist, pedagog dhe
sociolog. Qendrat për Punë Sociale vazhdojnë të jenë të mbingarkuara me reagim në raste
emergjente – aktualisht, një zyrtar nga QPS në komunat e mëdha ka rreth 350 lëndë aktive në vit.
Organi i Kujdestarisë në shumicën e komunave nuk është i kompletuar me profesionistë dhe nuk
është funksional. - Komunat të krijojnë kushte të përshtatshme pune për Qendrat për Punë Sociale, duke siguruar
hapësirat dhe pajisjet e nevojshme, si dhe qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara në objektet e
QPS-ve. Mbi 50% e Qendrave për Punë Sociale kanë qasje të vështirësuar ose të pamundur për
fëmijët me aftësi të kufizuara. Vetëm 28% e tyre kanë kushte infrastrukturore relativisht të mira,
ndërsa pjesa tjetër ofrojnë shërbime në hapësira të papërshtatshme fizike.
- Komunat të ndajnë buxhet për themelimin e Shtëpive për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë Qendrave
për Punë Sociale përkatëse, në komunat ku funksionojnë gjykatat dhe prokuroritë themelore, sipas
përcaktimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës.
Shëndeti
- Komunat të rrisin burimet për intensifikimin e programit të vizitave shëndetësore në shtëpi, për të
mundësuar vaksinimin në shtëpi, mbështetjen e praktikave të gjidhënies, të ushqyerit e
shëndetshëm si dhe identifikimin e problemeve shëndetësore tek fëmijët. Me theks të veçantë, kjo
rritje e kapaciteteve të synoj arritjen e sa më shumë grave shtatzëna në dy vizitat e para të
planifikuara, në kuadër të shtatë vizitave gjithsej të programit të vizitave shtëpiake. Në këto vizita,
gjatë tremujorit të fundit të shtatzënisë t’i jepet rëndësi informimit të grave mbi praktikat e mira të
ushqyerjes me gji. Në Kosovë, vetëm 32% e të porsalindurve ushqehen me gji brenda orës së parë
pas lindjes, ndërsa të ushqyerit vetëm me gji ështe prevalent vetëm për 29% të fëmijëve nën
moshën 6 muajsh. Si pasojë e Covid – 19, është regjistruar rënie e shkallës së imunizimit të rregullt
në nivel global. Kjo rënie është evidentuar edhe në Kosovë dhe raportohet që ende Kosova nuk
është në shkallën e mbulueshmërisë me vaksina të rregullta në nivelin para Covid -19.6 - Komunat të ndajnë buxhetin për sigurimin e burimeve njerëzore brenda sistemit parësor
shëndetësor për realizimin e kontrollove sistematike në kopshte dhe shkolla që do të mbulojë çdo
fëmijë pas moshës trevjeçare. Këto kontrolla sistematike të synojnë të identifikojnë në mënyrë të
hershme rreziqet zhvillimore te fëmijët, si kequshqyerja, gjetjet antropometrike (peshë dhe gjatësi),
shenjat e anemisë, nivelin e interaktivitetit, shëndetin oral, skriningun zhvillimor, shikimin dhe
dëgjimin, dhe zhvillimin e të folurit. Zbatimi i kontrollove do të mundësonte ndërhyrje të hershme
dhe mbështetje adekuate për fëmijët dhe familjet e tyre. - Komunat të sigurojnë ushqyerjen e shëndetshme të fëmijëve në institucionet parashkollore, sipas
Udhëzuesit Administrativ 02/2022 për planifikimin e ushqyerjes në institucionet parashkollore në
Republikën e Kosovës. Ushqyerja e shëndetshme në fëmijëri është thelbësore për rritjen dhe
zhvillimin e duhur fizik, mendor dhe emocional të fëmijëve, si dhe për krijimin e shprehive për një
jetë të shëndetshme. - Komunat duhet të ndajnë buxhet për të siguruar mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për fëmijët,
përmes monitorimit të ndotjes së ajrit, krijimit të rrugëve të sigurta dhe zhvillimit të hapësirave të
gjelbra pranë shkollave dhe në lagje.
Edukimi i hershëm dhe arsimi
- Komunat të planifikojnë buxhet për themelimin e institucioneve parashkollore dhe të rrisin
përfshirjen e fëmijëve në nivelin parashkollor. Komunat të sigurojnë vende në institucione
parashkollore për fëmijët e cenueshëm dhe me aftësi të kufizuara. Vetëm 15% e fëmijëve të
moshës 3–4 vjeç marrin pjesë në programe të edukimit të hershëm.7 Fëmijët që vijnë nga grupet e
margjinalizuara edhe pse janë të liruar nga pagesa, shumë shpesh nuk përfshihen për shkak të
kufizimit të numrit të fëmijëve.8 - Komunat të rrisin numrin e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, ashtu siç është paraparë
në legjislacion. Numri aktual i asistentëve mbështetës mbetet ende i pamjaftueshëm për të
përballuar kërkesat në rritje. Shumë prindër detyrohen të sigurojnë asistentët mbështetës me të
hyrat familjare, duke rënduar gjendjen ekonomike të familjes.9 - Komunat të planifikojnë buxhet për largimin e barrierave fizike, me qëllim të sigurimit të qasjes për
fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla. Nga 1,044 institucione arsimore, vetëm 609 prej tyre
ofrojnë qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara. - Komunat të ndajnë buxhet për pajisjen e shkollave me mjete dhe materiale mësimore si dhe me
teknologji digjitale, në mënyrë që të sigurohet mbështetja e mësimdhënies dhe të nxënit efektiv.
Shumica e shkollave në Kosovë nuk posedojnë teknologji digjitale për mbështetjen e
mësimdhënies.
Zbatimi i këtyre propozimeve do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e qasjes së fëmijëve në
shërbime cilësore sociale, arsimore dhe shëndetësore, si dhe në fuqizimin e sistemit të mbrojtjes së
fëmijëve në nivel komunal.