Kolona të gjata në kufirin Bajakovë – deri në 5 orë pritje për dalje nga Kroacia drejt Serbisë
Kolona të gjata automjetesh dhe pritje të gjata po shënohen në pikën kufitare Bajakovë, në dalje të Kroacisë drejt Serbisë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga HAK (Hrvatksi Auto Klub), në orën 07:55 të mëngjesit të sotëm, pritja për të dalë nga Kroacia në këtë pikë kufitare arrin deri në 5 orë.
Kjo situatë po krijon vështirësi të mëdha për udhëtarët dhe veçanërisht për bashkatdhetarët që po udhëtojnë drejt Kosovës apo vendeve të tjera të Ballkanit për pushimet verore.
Në kufirin më të afërt me Bajakovën, Tovarnik, gjithashtu në dalje nga Kroacia drejt Serbisë, pritjet janë dukshëm më të shkurtra. Sipas të dhënave të orës 05:55, pritja në këtë pikë kufitare është deri në 1 orë.
Ndërkohë, edhe në pikën kufitare Horgosh, në dalje nga Hungaria drejt Serbisë, raportohen kolona më të moderuara. Pritjet në këtë kufi aktualisht janë deri në 45 minuta.
Udhëtarët këshillohen të kontrollojnë informacionet zyrtare të trafikut dhe të marrin parasysh mundësinë e zgjedhjes së pikave alternative të kalimit kufitar për të shmangur vonesat e gjata.
