KFOR kundër hapjes së urës së Ibrit: Rrezik i papranueshëm për paqe
Gjenerali Barduani paralajmëron për rritje të tensionit nëse hapet ura në Mitrovicë
Komandanti i KFOR-it, gjenerali italian Enrico Barduani, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, duke e cilësuar një veprim të tillë si një rrezik i papranueshëm dhe i panevojshëm për paqe dhe stabilitet në rajon.
Në një deklaratë për Kosovo Online, Barduani theksoi se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret përmes dialogut dhe koordinimit të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe KFOR-in. Sipas tij, hapja e njëanshme e urës në këtë kohë do të shkaktonte një rritje të tensionit dhe do të vendoste në rrezik të drejtpërdrejtë si ushtarët e KFOR-it, ashtu edhe komunitetet lokale.
“KFOR-i mban një prani të vazhdueshme në terren dhe është i gatshëm të reagojë në çdo situatë. Megjithatë, ne besojmë se zgjidhjet ushtarake nuk janë zgjidhjet e duhura për problemet politike,” u shpreh Barduani.
Në lidhje me pyetjen nëse numri i trupave të KFOR-it në veri është i mjaftueshëm, gjenerali italian u shpreh se aktualisht forcat e KFOR-it janë të mjaftueshme për të përballuar situatën e sigurisë. Ai shtoi se në rast të një përshkallëzimi të situatës, NATO ka mekanizma të shpejta për të rritur numrin e trupave në Kosovë.
“Qëllimi ynë kryesor mbetet të ruajmë paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët për të gjetur zgjidhje paqësore për çështjet e hapura,” përfundoi Barduani.