KFOR-i reagoi shpejt pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, thotë Barduani

para 13 dite

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka konfirmuar se forcat e tij kanë reaguar menjëherë pas sulmit në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit, i cili ndodhi më 29 nëntor.

KFOR-i reagoi shpejt pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, thotë Barduani

Në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova, Barduani theksoi se KFOR-i ka ofruar mbështetjen e nevojshme për të siguruar zonën e prekur nga ky akt vandalizmi.

“Ne zbuluam incidentin menjëherë pasi ndodhi. Ne reaguam shpejt, duke siguruar zonën dhe duke u ofruar forma të ndryshme asistence, institucioneve në Kosovë”, deklaroi Barduani.

Komandanti i KFOR-it theksoi se ky sulm është dënuar fuqishëm nga NATO dhe KFOR-i, duke shtuar se është e rëndësishme që autorët e këtij akti të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë.

“KFOR-i dislokoi njësi për të siguruar zonën e kanalit të dëmtuar të ujit, ofruam mbështetje logjistike, si dhe ekspertizën tonë për asgjësimin e lëndëve plasëse”, shtoi ai.

Barduani theksoi se gjatë gjithë kohës së krizës, KFOR-i ka qenë në koordinim të ngushtë me homologët lokalë dhe ndërkombëtarë për menaxhimin e situatës.

“Dua të them fillimisht se KFOR-i është i pozicionuar për të monitoruar dhe menaxhuar çdo zhvillim të situatës së sigurisë lokale”, tha Barduani.

Më 29 nëntor, një shpërthim i fuqishëm dëmtoi kanalin kryesor të Ibër-Lepencit, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike në pjesë të konsiderueshme të Kosovës. Ky akt u dënua gjerësisht si një veprim terrorist.

Pas këtij incidenti, komuniteti ndërkombëtar shprehu shqetësim të thellë dhe dënoi fuqishëm sulmin. Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare bënë thirrje për një hetim të plotë dhe për ndëshkimun e përgjegjësve.

Etiketat

Ofertat e fundit