Këto do të jenë pagat e punëtorëve shëndetësorë
- 01.02.2023

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka caktuar vlerën e koeficientit të pagave për punëtorët e sektorit publik.
Për vitin 2023 vlera e këtij koeficienti do të jetë 105 euro, ndërsa gjatë 2024-së pritet të jetë 110 euro.
Për të llogaritur pagën duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Pra pasi që vlera e koeficientit është 105 euro, zyrtari që ka pagë në koeficient 5 do të marrë pagë 525 euro bazë, pa llogaritur shtesat.
Në Ligjin për Paga janë 136 nivele të koeficienteve, me raport prej 2 në 18. Paga më e lartë do të jetë ajo e presidentit me koeficientin 18, apo 1890 euro.
Nga punëtorët shëndetësorë, pagën më të lartë do ta ketë drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, i cili do merr 1470 euro në muaj.
Pas tij radhitet mjeku specialist me 1260 euro në muaj, ndërsa mjeku i përgjithshëm do ketë pagë 777 euro.
Me 672 euro do paguhen kryeinfermierët, kurse infermierët nga 588 deri në 535.5 euro.