Këshilli i Prindrëve kërkon që organizatat ndërkombëtare të reagojnë që greva të ndërpritet

30.09.2022

Këshilli i Prindërve të Kosovës përmes një postimi në rrjete sociale ka kërkuar që mësimi të fillojë sa më shpejt, kështu duke falënderuar UNICEF për thirrjen që procesi mësimor të nis. Në reagim, UNICEF ka theksuar se me mos fillimin e vitit të ri shkollor po i bëhet dëm të madh të ardhmes së fëmijëve, […]

Këshilli i Prindërve të Kosovës përmes një postimi në rrjete sociale ka kërkuar që mësimi të fillojë sa më shpejt, kështu duke falënderuar UNICEF për thirrjen që procesi mësimor të nis.

Në reagim, UNICEF ka theksuar se me mos fillimin e vitit të ri shkollor po i bëhet dëm të madh të ardhmes së fëmijëve, duke marrë parasysh edhe pandeminë me COVID-19 që ngadalësoi procesin e mësimit.

“Jemi mirënjohës organizatës UNICEF që ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të procesit mësimor në Kosovë, duke sqaruar edhe dëmin e madh që po i bëhet të ardhmes së fëmijëve”, thuhet në njoftim.

Nga Këshilli i Prindërve kanë theksuar se duan që edhe organizatat tjera ndërkombëtare të reagojnë që greva të ndërpritet dhe të nis procesi mësimor.

“Do të donim që reagime të tilla, në mbrojtje të së drejtës kushtetuese të fëmijëve tanë për edukim e arsimim publik, të kishim edhe nga organizata e përfaqësi të tjera ndërkombëtare që zakonisht reagojnë për çështje shumë më pak të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftim.

“E 22-ta ditë që rreth 320 mijë fëmijë nuk mund të shkojnë në shkolla! Hapini shkollat ose çregjistrohemi”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Prindërve.