Kërkohet zgjidhje urgjente për grevën në arsim

14.09.2022

Vazhdon dhe sot greva e përgjithshme në administratë dhe arsim. Pavarësisht takimeve që u zhvilluan ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave, ende nuk ka lëvizje pozitive. Ekspertët thonë së duhet të gjendet një zgjidhje urgjente, në mënyrë që të fillojë procesi mësimor, ndërsa një nga propozimet, është që të ndryshojë edhe Ligji për Grevat. Sindikalistët kanë vendosur […]

Kërkohet zgjidhje urgjente për grevën në arsim Foto: Bright empty classroom without student with wooden furniture -rendering

Vazhdon dhe sot greva e përgjithshme në administratë dhe arsim. Pavarësisht takimeve që u zhvilluan ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave, ende nuk ka lëvizje pozitive.

Ekspertët thonë së duhet të gjendet një zgjidhje urgjente, në mënyrë që të fillojë procesi mësimor, ndërsa një nga propozimet, është që të ndryshojë edhe Ligji për Grevat.

Sindikalistët kanë vendosur që greva të vazhdojë, edhe pas takimeve që kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti. Të dyja palët nuk arritën të gjejnë një zgjidhje, ndërsa ekspertët thonë se do të duhej që ligji i Pagave të ishte prioritet, në mënyrë që situata të mos vinte deri të grevat.

Rinor Qehaja, nga Instituti “EdGuard”, tha për Radio Kosovën se duhet të shqyrtohen reagime të tjera nga ana e sindikatave, e jo të mbesin fëmijët jashtë procesit mësimor.

 “Rikujtoj që jemi në vitin e katërt ku procesi mësimor nuk fillon me rregull, në një sistem arsimor në të cilin nxënësit janë vite prapa bashkëmoshatarëve të tyre nga vendet perëndimore. Çdo ditë e humbur e procesit mësimor, është e pa kthyeshme, me dëm të drejtpërdrejtë në zhvillimin kognitiv dhe akademik të nxënësve. SBASHK duhet të shqyrtojë reagime të tjera sindikale, por jo ndërprerjen e procesit mësimore. Si mund të ndëshkosh mbi 300 mijë nxënës për 30 euro?”, tha Qehaja.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihaj, tha për Radio Kosovën se ka pritur shumë që do të gjendej një kompromis, derisa tha qeveria është dashur të shtojë të paktën 30 euro në pakon e propozuar.

 “Është mëkat i madh që për 20 ose 30 euro për kokë të arsimtarëve të shtyhet mësimi dhe të humbin kaq shumë orë. Por, kompromisi nuk u arrit dhe gjendja është e mjerueshme. Kam pritur nga të dyja palët, por në këtë rast kam pritur më shumë nga Qeveria, sepse Sindikata është barrikaduar në qëndrimin e vet. por si duket edhe Qeveria, derisa kanë shkuar me 50 euro, nuk do të ishte asgjë për buxhetin e Kosovës që të shtojë edhe 30 euro të bëjë atë shumë 80 euro e të fillojë mësimi. Pastaj kemi mundësi të zëvendësojmë orët e humbura. Dhjetë ditë të mësimit të humbura do të mund të zëvendësoheshin, për shembull gjatë pushimit dimëror ose pranveror, duke përjashtuar fundjavat, edhe pse orët e zëvendësuara nuk e kanë efektin e duhur”, tha Salihaj.

Ndërkohë, Salihaj propozon që Ligji për Grevat të ndryshojë të paktën për kategorinë e edukatorëve të institucioneve parashkollore, pasi siç tha, prindërit kanë vështirësi në marrëdhëniet e punës.

 “Kam propozuar vetëm për një segment të edukimit, për edukimin parashkollor. Praktikisht ligji të ndryshohet dhe kjo kategori, të hyjë në atë grupin e atyre që nuk mund të mbajnë grevë, që janë emergjencat, zjarrfikësit, policia, etj, në mënyrë që njerëzit të mos mbesin mbyllur nëpër shtëpia. 1 mijë e 600 fëmijë vetëm në Prishtinë kanë mbetur në shtëpi dhe prindërit janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative që të shkojnë në punë”, u shpreh Salihaj.

Këshilli i Prindërve të Kosovës, u ka bërë thirrje prindërve që të marrin librat e fëmijëve nëpër shkolla e të punojnë me ta në shtëpi. Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se të gjitha orët e humbura do të zëvendësohen.