Kërkohet heqja e orës policore para Ditës së Pavarësisë së Kosovës – 17 Shkurt, qytetarët të festojnë lirshëm
Ndonëse Qeveria ka lehtësuar masat anti-COVID, masa e kufizimit të orarit (ora policore) ende mbetet në fuqi, gjë që ka ngjallur reagime e pakënaqësi tek qytetarët. Edhe pak ditë na ndajnë nga Dita e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, e që për këtë ditë po kërkohet heqja e orës policore, në mënyrë që qytetarët […]
Ndonëse Qeveria ka lehtësuar masat anti-COVID, masa e kufizimit të orarit (ora policore) ende mbetet në fuqi, gjë që ka ngjallur reagime e pakënaqësi tek qytetarët.
Edhe pak ditë na ndajnë nga Dita e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, e që për këtë ditë po kërkohet heqja e orës policore, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të festojnë lirshëm.
Një kërkesë e tillë vjen nga kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turzimit (OHT), Hysen Sogojeva.
Sogojeva masat anti-COVID i quan “demode” gjë që i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që këto masa të largohen para datës 17 shkurt për ditën e Pavarësisë së Kosovës.
“Edhe këto masa janë demode për arsye se shumica e vendeve të rajonit dhe shteteve veç kanë paralajmëruar se këto masa duhet të lirohen dhe të heqen. Gjithashtu kemi rënie të numrit të infektuarve. Pastaj edhe ky Omicroni nuk është tregu edhe aq i rrezikshëm, prandaj edhe nuk ka arsye që ora policore të jetë sot prezente, nuk ka kurrfarë arsye”, shprehet Sogojeva.
“Kërkojmë sa më parë që të hiqen kufizimet dhe nuk ka arsye që të ketë kufizime të orarit. Apeloj te Qeveria, përkatësisht te Ministria përkatëse që kjo të jetë para datës 17 për arsye që njerëzit e presin atë ditë, dhe mos të ketë kufizime të orarit”, thekson kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.