Qeveria shpalos agjendën e aktiviteteve për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

09.02.2026

Qeveria e Republikës së Kosovës ka publikuar programin zyrtar të festimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, që do të mbahet më 17 shkurt.

Aktivitetet nisin në ora 07:00 me ngritjen solemne të flamurit të Kosovës, për të vazhduar në ora 07:20 me mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës.

Në ora 07:30 janë paraparë nderime te Monumenti i të Pagjeturve, ndërsa në ora 07:35 do të mbahen homazhe te pllaka përkujtimore e fëmijëve të vrarë.

Sipas agjendës, në ora 08:00 do të bëhen homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në ora 09:00, delegacionet shtetërore do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa në ora 10:30 do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Më pas, në ora 11:25 janë planifikuar nderime te monumenti “Heroinat”, ndërsa në ora 11:30 do të zhvillohet parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Festimet vazhdojnë në ora 17:30 me një pritje shtetërore, e organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri në detyrë.Përmbyllja e aktiviteteve do të bëhet në ora 20:00, me koncertin solemn të Filarmonisë së Kosovës.